Vetëm disa orë pasi u shfaqën raportime se Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu kanë arritur një marrëveshje të mundshme për Gazën, kryeministri izraelit iu drejtua publikut me një deklaratë ku foli për normalizimin e marrëdhënieve me vendet arabe.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Netanyahu theksoi se Izraeli tani ka një mundësi të rëndësishme për të zgjeruar ndjeshëm Marrëveshjet e Abrahamit – marrëveshje që synojnë normalizimin e lidhjeve diplomatike me vendet arabe.
“Ne kemi luftuar me guxim kundër Iranit dhe kemi arritur një fitore të madhe. Kjo fitore hap rrugën për zgjerimin dramatik të marrëveshjeve të paqes. Po punojmë intensivisht për këtë,” deklaroi Netanyahu.
Ai shtoi se objektivi i Izraelit mbetet shkatërrimi i Hamasit.
“Së bashku me lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit, kemi përpara një mundësi që nuk duhet ta humbasim. Asnjë ditë nuk duhet të shkojë kot,” përfundoi Netanyahu.