Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë ditëve të fundit, ka sugjeruar haptazi se Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në një luftë kundër Iranit, pas ofensivës së nisur nga Izraeli në fundjavë.
Në reagim ndaj këtyre paralajmërimeve, disa politikanë amerikanë janë kundërvënë duke iu referuar Kushtetutës së SHBA-së, e cila i jep Kongresit fuqinë për të shpallur luftë ndaj një shteti.
Megjithatë, situata është më komplekse sesa një përplasje klasike mes izolacionistëve dhe ndërhyrësve. Çështja e “shpalljes së luftës” është debat i kahershëm në SHBA, dhe ekspertët kushtetues nuk ndajnë një qëndrim të unifikuar.
Çfarë thotë Kushtetuta?
Sipas Nenit 1, pika 8 e Kushtetutës së SHBA-së:
“Kongresi ka të drejtën të shpallë luftë, të lëshojë autorizime për sulme kundër anijeve armike dhe të përcaktojë rregulla për konfiskime në tokë dhe në ujë.”
Kjo e drejtë është përdorur vetëm 11 herë në histori, e fundit herë më 1942, kur SHBA shpalli luftë pas sulmit japonez në Pearl Harbor.
Roli i presidentit si komandant i përgjithshëm
Me kalimin e kohës, presidentët amerikanë – si komandantë të përgjithshëm të ushtrisë – kanë ndërmarrë aksione ushtarake pa miratim formal të Kongresit, përfshirë:
-
Harry Truman në Kore
-
Ronald Reagan në Grenada
-
George H. W. Bush në Panamë
-
Barack Obama në Libi
Tre kategori të përfshirjes ushtarake pa shpallje lufte:
-
Autorizimi i përgjithshëm nga Kongresi, jo shpallje lufte (si pas 11 Shtatorit 2001 dhe në Vietnamin Juglindor).
-
Reagimi ndaj një sulmi ndaj SHBA-së, që mund të interpretohet gjerësisht – përfshirë kërcënime ndaj shtetasve apo bazave amerikane.
-
Vendosja e trupave jashtë vendit pa nisur operacione luftarake, si në Arabinë Saudite apo Bosnjë.
Ka dhe një kategori të katërt të diskutueshme: përdorimi i ushtrisë nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara, si në rastin e luftës së Koresë.
Çfarë mund të bëjë Trump në rastin e Iranit?
Trump mund të përdorë dy argumente:
-
Se përfshirja do jetë e kufizuar dhe “jo luftë e plotë”, ose
-
Se bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme janë nën kërcënim, pra në kuadër të mbrojtjes.
Gjithashtu, nuk ka precedent që Gjykata e Lartë e SHBA-së të ketë kufizuar këtë kompetencë presidenciale, çka e lë hapur interpretimin juridik.
A ka rezistencë në Kongres?
Po. Një grup kongresistësh nga të dy partitë (republikani Thomas Massie dhe demokrati Ro Khanna) kanë dorëzuar një rezolutë që ndalon përfshirjen e SHBA-së në luftë kundër Iranit pa miratim të Kongresit. Por kjo nuk është e detyrueshme.