​Krasniqi: Prodhuesit e Kosovës po hasin në disa sfida gjatë eksportit në Maqedoni

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës, kanë takuar me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi, ku është diskutuar rreth mundësive të bashkëpunimit, eliminimin e barrierave tregtare gjatë bashkëpunimit Kosovë-Maqedoni e Veriut, shkëmbimin e praktikave për rritje të bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe eksportit në vendet e rajonit.

Gjatë këtij takimi ambasadorja Jusufi shpalosi disa nga prioritetet e misionit të saj në Kosovë, duke theksuar që janë të hapur për bashkëpunim në sferat e këmbimit tregtar dhe lobimit të eliminimit të barrierave reciproke.

Kurse, kryetari i OAK-së, Skënder Krasniqi theksoi që ndërtimi i linjave për rritje të bashkëpunimit tregtar mes vendeve tona është shumë i rëndësishëm, pasi që aktualisht prodhuesit kosovar janë duke hasur në disa sfida gjatë realizimit të eksportit në Maqedoni të Veriut.

Sipas një komunikate të OAK, gjatë takimit u theksua edhe mungesa e investimit në autostradë nga ana e Maqedonisë së Veriut, gjë e cila do të ndikonte pozitivisht gjatë të bërit biznes mes të dy vendeve.

Kategoritë
LajmeVendi