Një javë pas nisjes së sulmeve izraelite kundër Iranit, zyrtarë të lartë të Izraelit kanë pranuar se nuk ka asnjë shenjë të dobësimit apo çarjeve brenda regjimit iranian. Tre zyrtarë izraelitë thanë për The Jerusalem Post të premten se, përkundrazi, pushteti në Teheran po konsolidohet më tej.
“Për momentin, nuk ka tregues që qeveria qendrore në Teheran po humbet kontrollin. Përkundrazi, regjimi iranian po forcon edhe më shumë autoritetin e tij,” deklaruan zyrtarët.
Edhe pse rrëzimi i regjimit të Ajatollahut Ali Khamenei nuk është zyrtarisht qëllim i Izraelit, disa figura të larta, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtjes Israel Katz, kanë pranuar se një nga objektivat strategjikë të Tel Avivit është destabilizimi i pushtetit në Teheran.
Në ditët e fundit, Izraeli ka goditur një sërë objektivash që janë përshkruar si “levat e pushtetit të regjimit iranian”.
Në mesin e objektivave të sulmeve ajrore kanë qenë: stacione policie, radiotelevizioni shtetëror, Ministria e Brendshme, Ministria e Inteligjencës dhe ajo e Mbrojtjes.
Të premten, ministri Katz njoftoi se Izraeli do të nisë sulme të drejtpërdrejta ndaj objekteve të milicisë Basij, një formacion paramilitar që vepron nën Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), dhe që sipas Tel Avivit “përdoret për të shtypur protestat e brendshme”.
“Në takimin me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të IDF, gjeneral Eyal Zamir, kam dhënë urdhër që ushtria të intensifikojë sulmet kundër objektivave të regjimit në Teheran, me qëllim destabilizimin e tij dhe rritjen e efektit frenues, si përgjigje ndaj sulmeve raketore mbi qytetet izraelite,” tha Katz.
“Duhet të godasim të gjitha simbolet e fuqisë dhe mekanizmat e shtypjes së regjimit, të detyrojmë evakuimin e një pjese të madhe të popullsisë civile të Teheranit – të gjitha këto me qëllim dobësimin e regjimit,” përfundoi ai.