“Zhdukja e paralajmëruar nga Kurti paska filluar”, MPJ-ja fshinë historikun e ministrave para Konjufcës e Gërvallës

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka shkruar se në Ministrinë e Jashtme nuk ka fare historik të ministrave të mëparshëm, përveç Glauk Konjufcës e Donika Gërvallës.

Çitaku ka shkruar se zhdukja e paralajmëruar nga Kurti tashmë paska filluar.

Ajo e ka quajtur këtë veprim të MPJ-së si mjeri dhe marrëzi.

“Ministria e Punëve të Jashtme paska zhdukur nga historiku në web faqe tërë aktivitetet, emrat, dokumentet dhe fotografitë e Ministrave paraprak ( përvec Glauk Konjufcës dhe Donika Gërvallës).
“Zhdukja” e paralajmëruar nga Kurti, tashmë paska filluar. Kjo lloj sjellje është mjerim dhe marrëzi. Historia as nuk retushohet e as nuk zhduket. Jo në vitin 2023”, ka shkruar ajo.

Fillimisht ka qenë ish-kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla e ka cila ka reaguar lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar si veprim të papranueshëm dhe joserioz.

“E papranueshme se si Ministria e Jashtme paska zhdukur gjithë historikun e aktiviteteve diplomatike, kumtesave, takimeve, njoftimeve e qëndrimeve zyrtare nga website i MPJD-së. Madje në historikun e ish-ministrave të jashtëm figurën vetëm ish Ministri Konjufca! Sinqerisht e pakuptimtë dhe joserioze!”, ka shkruar ajo në Facebook.

E ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, ka thënë se kjo është fyese për ish-ministrat e jashtëm.

“Sipas faqes së internetit të MPJD-së, në 15 vitet e pavarësisë së saj Kosova ka pasur vetëm një Ministër të Jashtëm. Kjo është jo vetëm e pavërtetë por edhe fyese për ish-ministrat e jashtëm”, ka shkruar Nikaj në platformën “X”.

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi