Pas vendimit të sotëm të qeverisë malazeze për të mos miratuar regjistrimin e studentëve të rinj në Fakultetin për Gjuhë dhe Letërsi Malazeze (FCJK) në Cetinë me shpenzime të mbuluara nga shteti për vitin akademik të ardhshëm, kanë reaguar ashpër opozita, organizatat joqeveritare dhe komuniteti akademik.
Sipas mediave në Mal të Zi, ndonëse ishte parashikuar në buxhet, qeveria nuk e miratoi vendimin për regjistrimin e studentëve në FCJK, pasi ministrat nga partitë proserbe, me mbështetjen e anëtarëve të qeverisë nga Partia Demokratike e Malit të Zi, shprehën mendim të veçantë, duke pamundësuar votat e nevojshme për kalimin e vendimit.
Dekani: Hakmarrje ideologjike brutale
Dekani i fakultetit, Aleksandar Radoman, deklaroi se kjo është një formë brutale e hakmarrjes politike dhe ideologjike ndaj një pjese të komunitetit akademik që mbron lirinë e fjalës dhe mendimin kritik në Mal të Zi.
“Është e qartë se me këtë vendim, pa asnjë sqarim, regjimi ka nisur një fushatë për shuarjen e një institucioni të arsimit të lartë që nuk i është nënshtruar kërkesave të ideologjisë së nacionalizmit serb,” tha ai.
Ai shtoi se kryeministri Milojko Spajić duhet të sqarojë nëse qëndron prapa këtij vendimi, që sipas tij përfaqëson një praktikë autoritare që përndjek zërat ideologjikisht të papërshtatshëm.
Ministri i Financave: Mjetet janë siguruar
Ministri i financave, Novica Vuković, deklaroi se nuk është informuar për atë që ndodhi në mbledhjen e qeverisë, por shtoi se fondet për FCJK janë tashmë të ndara.
“Në emër të ministrisë së financave mund të them se për financimin e 40 studentëve të rinj të FCJK janë ndarë 700.000 euro dhe ministria ka dhënë mendim pozitiv për këtë,” tha ai.
Fakulteti iu drejtua përfaqësuesve diplomatikë
Fakulteti i është drejtuar përfaqësuesve të trupit diplomatik në Mal të Zi, duke theksuar se që nga viti 2020, pas ndërrimit të pushtetit, është nën presion të vazhdueshëm nga pushteti politik.
Në letër thuhet se motivi i vetëm për këtë veprim është natyra politike dhe ideologjike e shumicës së ministrave, të cilët synojnë të shuajnë çdo formë të lirisë së fjalës dhe mendimit kritik në Mal të Zi.
“Duke qenë se Mali i Zi njihet si kandidat kryesor për anëtarësim në BE, ky vendim i qeverisë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave themelore të BE-së. Ju bëjmë thirrje të përdorni autoritetin tuaj për të ndalur këtë veprim jodemokratik dhe diskriminues,” thuhet në letrën drejtuar ambasadorëve.
Dënime nga shoqëria civile dhe autoritetet lokale
Qendra për Arsim Qytetar deklaroi se vendimi është një goditje jo vetëm për FCJK, por për çdo person që mendon në mënyrë të pavarur në Mal të Zi.
Kryetari i Komunës së Cetinës, Nikola Đurašković, tha se ky fakultet është shënjestruar vazhdimisht nga qeveria, e cila, sipas tij, jo vetëm që ka prirje autoritare, por synon të shuajë çdo gjë që mban emrin malazez.
“Si kryetar i Cetinës qëndroj fort përkrah FCJK-së dhe kërkoj nga qeveria ta ndryshojë këtë vendim skandaloz që është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj gjuhës, letërsisë dhe kulturës malazeze,” theksoi ai.
Historia dhe roli i fakultetit
Fakulteti për Gjuhë dhe Letërsi Malazeze është themeluar në vitin 2014, me misionin për të zhvilluar ndërgjegjen gjuhësore dhe për të ruajtur trashëgiminë gjuhësore dhe letrare të Malit të Zi. Ai gjithashtu synon të promovojë gjuhën dhe letërsinë malazeze në vend dhe në Evropë.
Profesorët e këtij fakulteti shpesh janë kritikë të pushtetit aktual në Mal të Zi, për të cilin pretendojnë se është afër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, dhe po e çon Malin e Zi drejt zhdukjes përmes projektit të ashtuquajtur “bota serbe”.
Në Mal të Zi aktualisht është në pushtet një koalicion i udhëhequr nga Lëvizja populiste “Evropa Tani” e kryeministrit Spajić, e cila përfshin edhe parti të djathta proserbe, si dhe përfaqësues të partive shqiptare dhe boshnjake.