Pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit mbi objektet kryesore bërthamore të Iranit – Fordow, Natanz dhe Isfahan – kanë dalë në dritë dyshime të reja për ekzistencën e një lokacioni të katërt dhe më të mbrojtur, i cili ndodhet thellë nën malin Kolang Gaz La.
Teheran – Zyrtarë të inteligjencës perëndimore dhe ekspertë të pavarur kanë ngritur shqetësime serioze për një kompleks të ri bërthamor që dyshohet se është ndërtuar në fshehtësi nga Irani nën malin Kolang Gaz La, në jug të objektit të njohur të Natanzit. Ky vendndodhje, sipas Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare (ISIS), mund të jetë shumë më i thellë dhe më i mbrojtur sesa objekti në Fordow, duke e bërë atë pothuajse të paprekshëm nga sulmet ajrore.
Sipas pamjeve satelitore të analizuara nga agjencitë ndërkombëtare, në këtë zonë janë identifikuar të paktën katër hyrje në tunele nëntokësore, si dhe struktura të betonizuara mbrojtëse që tregojnë për një kompleks të zhvilluar dhe të mirëmbrojtur. Ekspertët thonë se ky objekt është ndërtuar për të qenë i papërshkueshëm nga armët konvencionale.
Drejtori i Organizatës Iraniane për Energji Atomike, Mohammad Eslami, deklaroi më 12 qershor se “Irani ka ndërtuar një objekt të ri në një vend të sigurt dhe të paprekshëm dhe se pas përfundimit të instalimit të centrifugave, do të fillojë procesi i pasurimit të uraniumit”. Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të ashpra nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), e cila akuzoi Iranin për mungesë transparence dhe shkelje të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Rafael Grossi, drejtori i IAEA-së, theksoi se agjencia nuk ka pasur qasje në këtë vendndodhje dhe shtoi se ekzistenca e objekteve të fshehta nuk mund të përjashtohet. Sipas ekspertëve të pavarur, ky objekt është kaq i thellë saqë as bomba më e avancuar amerikane për shkatërrimin e bunkerëve (GBU-57) nuk do të mund të shkaktonte dëme të mëdha.
Një tjetër shqetësim i madh është se Irani mund të ketë zhvendosur pajisje dhe materiale të ndjeshme nga objektet si Fordow drejt Kolang Gaz La para fillimit të sulmeve izraelite. Kjo mund të nënkuptojë se thelbi i programit bërthamor iranian është tashmë i mbrojtur nën mal.
Pavarësisht mohimeve të vazhdueshme të Iranit se nuk synon ndërtimin e një arme bërthamore, vendi ka pasuruar uranium deri në një nivel prej 60% – shumë afër pragut prej 90% që nevojitet për prodhimin e një bombe atomike.
“Pyetja thelbësore është nëse Irani ka fshehur tashmë materiale fisile në Kolang Gaz La apo ndonjë objekt tjetër të panjohur”, tha për Financial Times Ben Taleblu, analist në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
Në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe Perëndimit janë në rritje dhe komunikimi diplomatik është i kufizuar, ekzistenca e këtij objekti të katërt të dyshuar përbën një kthesë të re serioze në krizën bërthamore iraniane dhe rrezikon të nxisë një përshkallëzim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.