Në Beograd po mbahet sot ceremonia e varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte paralajmëruar më herët se nuk do të merrte pjesë në ceremoni, por në funeral u shfaq djali i tij, Danilo Vuçiq.
Me këtë veprim, krerët shtetërorë të Serbisë, përmes anëtarëve të familjes së ngushtë, po dërgojnë një mesazh të qartë dhe shqetësues për qëndrimin e tyre ndaj së kaluarës së përgjakshme dhe viktimave të gjenocidit.
Mungesa personale e Vuçiqit në këtë ceremoni të turpshme nuk buron nga ndonjë arsye morale dhe as nuk është shenjë nderimi për dhjetëra mijëra viktimat që humbën jetën nga krimet e Mladiqit.
Sipas njoftimit zyrtar, Vuçiqi nuk mundi të merrte pjesë për shkak të vizitës së paralajmëruar më herët të presidentit të Uzbekistanit.
Duke u përpjekur të ruajë ekuilibrin ndërmjet joshjes së elektoratit të djathtë dhe mbrojtjes së imazhit përpara bashkësisë ndërkombëtare, Vuçiqi bëri një deklaratë që tingëllon si justifikim para opinionit publik në Serbi.
“A bëra gjithçka që ishte e nevojshme dhe e mundur që ceremonia të zhvillohej në mënyrë dinjitoze? Pikërisht këtë bëra. Kjo është gjithçka që mund t’ju them”, deklaroi Vuçiqi, duke folur për funeralin e kriminelit Mladiq.
Sytë e opinionit botëror janë drejtuar sot nga Beogradi, i cili po tregon se ende nuk është përballur me rolin e vet gjatë viteve ’90 dhe se, në vend që ta dënojë të kaluarën e errët, po ua përcjell atë brezave të rinj.

















