Tino Chrupalla, bashkëkryetar i partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), kërkon që deri në 2,6 milionë njerëz të largohen nga Gjermania. Mes tyre ai përfshin edhe ukrainas, sirianë dhe afganë, nëse u përfundon statusi i mbrojtjes. Një ekspert i së drejtës së migracionit e cilëson shifrën të ekzagjeruar.
Chrupalla i bëri këto deklarata në podkastin “Unter Zwei” të gazetës gjermane Bild. Përveç personave që, sipas një vendimi të formës së prerë, janë të detyruar të largohen nga vendi dhe të huajve që kanë kryer vepra penale, ai përmendi edhe sirianët, afganët dhe ukrainasit, nëse pushojnë së ekzistuari arsyet për të cilat u është dhënë mbrojtja.
Si shembuj përmendi përfundimin e luftës në Ukrainë ose përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Siri dhe Afganistan.
“Dhe këtu po flasim për 2,6 milionë njerëz”, tha Chrupalla.
Eksperti kërkon shqyrtim individual të çdo rasti
Daniel Thym, profesor në Universitetin e Konstancës dhe ekspert i së drejtës së migracionit, i tha gazetës Bild se deklarata e Chrupallës krijon një përshtypje të gabuar.
“Chrupalla krijon përshtypjen se miliona ukrainas, sirianë dhe afganë mund të dëbohen shpejt dhe në masë. Kjo nuk është e vërtetë. Statusi i mbrojtjes duhet të shqyrtohet individualisht për secilin person”, tha Thym.
Ai shtoi se një person mund ta humbasë statusin e mbrojtjes, por kjo nuk ndodh automatikisht për të gjithë. Për këtë arsye, sipas tij, shifrat e përmendura janë tepër të larta.
Sipas të dhënave të publikuara nga Bild, në mesin e vitit 2026 në Gjermani kishte rreth 259 mijë persona të detyruar të largoheshin nga vendi. Për 77 për qind të tyre, dëbimi ishte pezulluar përkohësisht me masën e njohur si Duldung.
Ndryshim qëndrimi pas kritikave brenda partisë
Chrupalla kishte kritikuar së fundmi “praktikat brutale” të agjencisë amerikane të imigracionit ICE, të cilën e konsideroi pjesërisht përgjegjëse për humbjen e republikanëve në zgjedhjet për Kongresin amerikan, shkruan Tagesspiegel. Këto deklarata sollën kritika të ashpra ndaj tij brenda AfD-së.
Brenda partisë vijon debati për numrin e personave që duhet të kthehen në vendet e tyre. Deputeti i AfD-së në Bundestag, Maximilian Krah, kishte paralajmëruar më herët se pritshmëritë për dëbimet ishin të ekzagjeruara dhe se dëbimi i miliona njerëzve nuk ishte juridikisht i realizueshëm. Ndërkohë, kreu i organizatës rinore të AfD-së, Jean-Pascal Hohm, këmbëngul se miliona njerëz duhet të largohen nga Gjermania.
