Hane Peter Sommer dhe Meta Greutert, partnerët zviceranë që pretendohet se janë viktima të një skeme të madhe mashtrimi përmes një Call Center-i në Kosovë, nuk kanë dëshmuar sot në gjykatë, pavarësisht se kishin udhëtuar nga Zvicra drejt Kosovës për të marrë pjesë në seancë.
Dëshmia e tyre është shtyrë për vitin e ardhshëm, ndërsa seanca e sotme është mbyllur pa u dëgjuar deklaratat e dy viktimave të rastit. Kjo shtyrje vjen pas udhëtimit të tyre nga Zvicra, duke bërë që pritja për dëshminë e çiftit të vazhdojë edhe për disa muaj të tjerë, raporton IndeksOnline.
Sipas aktakuzës, dëmi i shkaktuar nga skema e dyshuar e mashtrimit arrin në rreth 1.9 milionë euro. Fillimisht, Sommer dhe Greutert pretendohet se janë joshur për të investuar në platforma të ndryshme të kriptovalutave, ndërsa më pas, përmes veprimeve të tjera të dyshuara mashtruese, janë bindur të transferojnë rreth 940 mijë euro në Kosovë.
Në këtë rast, të akuzuar janë Naser Smajli, Enuarta Smajli, Daip Beqiri, Arbenita Jetullahu, Gylsere Sojeva, Muhamet Dragobuzhda, Kushtrim Sojeva dhe Blerim Qerimi.
Dëshmia e çiftit zviceran konsiderohet një moment i rëndësishëm për zbardhjen e pretendimeve për këtë skemë mashtrimi, por për ta dëgjuar versionin e tyre para gjykatës do të duhet të pritet deri në vitin e ardhshëm.
