Autoritetet turke po kërkojnë që nga mbrëmja e së dielës një kafshë që dyshohet të jetë luaneshë, e parë në lagjen Uskumruköy të komunës Sarıyer në Stamboll. Kafsha është lokalizuar në një pyll aty pranë, ndërsa banorëve u është kërkuar të mos dalin nga shtëpitë gjatë operacionit për kapjen e saj.
Zyra e Guvernatorit të Stambollit njoftoi se kamerat e sigurisë e kishin regjistruar kafshën në Uskumruköy të dielën, rreth orës 18:00. Pak më vonë, një banor telefonoi në numrin e emergjencës 112 dhe raportoi se kishte parë një luan. Ekipet që shqyrtuan pamjet vlerësuan se bëhej fjalë për një luaneshë.
Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen e Natyrës dhe Parqet Kombëtare të Turqisë bëri të ditur se kafsha nuk u gjet gjatë kërkimit fillestar, në të cilin morën pjesë punonjës të parqeve kombëtare dhe pjesëtarë të xhandarmërisë nga stacioni i Zekeriyaköy-t. Kërkimet vijuan me kamera termike, me të cilat kafsha u lokalizua në një zonë të pyllëzuar. Në terren ndodhen edhe veterinerë.
Autoritetet synojnë ta kapin të gjallë
“Është përcaktuar zona ku ndodhet luani dhe po veprohet me kujdesin e nevojshëm për ta kapur të gjallë”, thuhet në njoftimin e Guvernatorit të Stambollit.
Sipas mediave turke, veterinerët janë gati me armë që lëshojnë shigjeta qetësuese. Plani është që kafsha të nxirret nga pylli në një hapësirë të hapur dhe të sigurt, ku mund të vihet në gjumë. Operacioni zgjati gjithë natën, ndërsa gazeta Hürriyet raportoi se xhandarmëria kishte bllokuar lëvizjen e këmbësorëve dhe të automjeteve në Uskumruköy dhe zonat përreth.
Kryetari i komunës Sarıyer, Oktay Aksu, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi.
“U kërkojmë qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë, që të mos lëndohen dhe të mos pengojnë operacionin”, tha Aksu, sipas Türkiye Today.
Ai i tha televizionit CNN Türk se kafsha ishte gjetur në një pyll pranë një zone banimi dhe se kishte kaluar pranë disa pulave pa i sulmuar. Aksu mendon se ajo mund të jetë rritur në robëri. Në një prononcim për NTV, ai tha se kafsha i ngjan një luaneshe, por mund t’i përkasë edhe një lloji tjetër. Sipas tij, ende nuk ka të dhëna të besueshme për prejardhjen e saj.
Nga erdhi kafsha në Stamboll?
Mediat turke raportojnë se dyshohet që luanesha të ketë ikur nga një shtëpi në lagje, ku pretendohet se mbahej pasi ishte futur ilegalisht në Turqi. Autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar këtë version dhe nuk kanë bërë të ditur se kush mund të jetë pronari.
Sarıyeri ndodhet në skajin verior të Bosforit, në anën evropiane të Stambollit. Përveç lagjeve të banuara, komuna ka edhe sipërfaqe të mëdha pyjore. Sot në Turqi nuk ka luanë që jetojnë në natyrë.
