Samiti botëror i klimës përfundon pa marrëveshje për herë të parë që nga viti 2009. Ministri i Panamasë: “COP-i është peng i mafies së naftës”

Samiti botëror i klimës përfundon pa marrëveshje për herë të parë që nga viti 2009. Ministri i Panamasë: “COP-i është peng i mafies së naftës”

Konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike në Antalia të Turqisë përfundoi pa marrëveshje, pasi Bashkimi Evropian dhe vende të tjera hodhën poshtë propozimin përfundimtar, ku nuk përmendeshin fare lëndët djegëse fosile.

Kryesuesi i COP31 dhe ministri turk i Mjedisit, Murat Kurum, pranoi në seancën përmbyllëse se nuk ishte arritur konsensus.

“E kuptoj se nuk ka pajtim për këtë tekst. Për këtë arsye, këto vendime nuk u miratuan”, tha Kurum, raporton FENA.

Samiti zgjati dy ditë më shumë se sa ishte planifikuar, duke u bërë konferenca më e gjatë e OKB-së për klimën deri më tani. Sipas CNN dhe CBC, kjo është hera e parë që nga samiti i Kopenhagës në vitin 2009 që konferenca vjetore përfundon pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Lëndët djegëse fosile u hoqën nga projektteksti

Mosmarrëveshja kryesore kishte të bënte me lëndët djegëse fosile. Një version i mëparshëm i projekttekstit bënte thirrje për përshpejtimin e heqjes graduale nga përdorimi të tyre, por nga versioni i publikuar më 19 nëntor u hoq çdo përmendje e këtyre lëndëve. Një ditë më vonë, një grup vendesh, mes tyre Franca dhe Panamaja, kërkuan në një letër që marrëveshja të parashikonte “një kalim të qartë drejt largimit nga lëndët djegëse fosile”.

Ministri irlandez për Klimën, Darragh O’Brien, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e BE-së, kishte deklaruar se Unioni nuk do ta mbështeste të ashtuquajturin Pakt të Antalias pa përmendjen e lëndëve djegëse fosile, pasi teksti “nuk i përgjigjet momentit”.

Sipas AP-së, pakënaqësi shkaktuan edhe disa nga propozimet e përfshira në tekst. Projekttekstet nxitnin zhvillimin e teknologjive për largimin dhe ruajtjen e dioksidit të karbonit. Këto teknologji mbështeten nga industria e naftës dhe aktualisht kapin shumë më pak se 1 për qind të emetimeve globale. Gjatë samitit, ministri i Mjedisit i Panamasë, Juan Carlos Navarro, deklaroi se procesi i COP-it ishte “peng i mafies së naftës”.

Guterres: Jam thellësisht i zhgënjyer

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se ishte thellësisht i zhgënjyer nga rezultati.

“Ata që përfitojnë nga shkatërrimi i planetit tonë nuk duhet të diktojnë kurrë kushtet e përpjekjeve për ta shpëtuar atë. Lëndët djegëse fosile janë forca shtytëse e krizës klimatike”, tha Guterres.

Zhgënjim shprehu edhe ministri australian për Klimën, Chris Bowen, i cili udhëhoqi negociatat.

“Fatkeqësisht, nuk arritëm marrëveshje për vendimin përfundimtar. Kjo është zhgënjyese. Shumë zhgënjyese”, tha Bowen.

Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë në samit për të dytin vit radhazi, pasi administrata e Donald Trumpit e tërhoqi vendin nga negociatat për klimën. AP kujton se gjatë 30 viteve të negociatave, lëndët djegëse fosile janë përmendur vetëm një herë në një dokument përfundimtar. Kjo ndodhi në COP28 në Dubai, ku vendeve iu bë thirrje të kalonin gradualisht drejt largimit nga përdorimi i tyre.

Konferenca e ardhshme e OKB-së për klimën pritet të mbahet vitin e ardhshëm në Etiopi.

Kategoritë
BotaLajme