Vuçiç arriti në Banja Luka, iu drejtua mbështetësve: “Ia pashë lotin në sy Dodikut, e di që është e vështirë”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbërriti në orët e mbrëmjes në Banja Luka, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët gjatë ditës.

Në aeroport, ai u prit nga kryeministri i Qeverisë së Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviç, ndërsa Milorad Dodik në ato momente po u drejtohej deputetëve në Kuvendin e Republikës Sërpska.

Më vonë, përpara Pallatit të Republikës, ai u prit nga Dodiku dhe mbështetësit e tij, të cilët i brohorisnin.

Para Pallatit, ai iu drejtua shkurtimisht qytetarëve të pranishëm:

“Nëse mund të isha kohët e fundit në Banja Luka për të shënuar festën e Sretenjes, do të ishte turp të mos isha këtu tani që është e vështirë. Sot është një ditë e vështirë për popullin serb. E di sa e vështirë është për Milen. Para se ai ta pranonte vetë, unë ia pashë lotin në sy. E di sa dhemb padrejtësia”, tha ai.

Siç është njoftuar nga Kabineti i Presidentit të Republikës Sërpska, Vuçiç dhe Dodik do të bisedojnë në Pallatin e Republikës, pas së cilës do të mbahet një konferencë për shtyp.

Të rikujtojmë se Vuçiç erdhi në Banja Luka pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës ndaj Dodikut, ku ai u dënua me një vit burg dhe gjashtë muaj ndalim të ushtrimit të funksionit të presidentit të RS-së.

Me këtë rast, sonte në Beograd u mbajt edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Serbisë, ku u miratuan disa konkluzione.

“Do t’i theksoj vetëm disa prej tyre. Së pari është dënimi i vendimit, i cili është jodemokratik dhe i kundërligjshëm. Kemi bërë thirrje për qetësi në reagime, sepse kjo është shumë e rëndësishme në këtë moment. Kemi bërë thirrje për respektimin e Dejtonit dhe ndalimin e prishjes së mëtejshme të sistemit të krijuar nga Dejtoni, një sistem që solli ndalimin e luftës, këto janë kushtet në të cilat lufta u ndal. Kemi bërë thirrje për unitet dhe bashkim të gjithë popullit tonë dhe të gjitha partive politike. Kishte edhe konkluzione të tjera që nuk do t’i përmendja”, tha pas mbledhjes ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç.

Kategoritë
LajmeRajoni