Vrasja e Liridona Ademajt, Naim Murseli deklarohet i pafajshëm: Nëse vërtetohet aktakuza, kërkoj dënim të përjetshëm për veten

Ka nisur të mbahet seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt,  më 29 nëntor 2023.

Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Liridona Ademajt është deklaruar i pafajshëm.

“Nëse pretendimet e prokurorisë në aktakuzë vërtetohen atëherë unë vet, për veten time do të kërkojë dënim me burgim të përjetshëm”, tha ai.

I pafajshëm është deklaruar edhe i akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, ndërkaq në heshtje u mbrojt Granit Plava.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.

E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeVendi