Në Vishegrad, sot u shënua 33-vjetori i njërit prej krimeve më të rënda të kryera ndaj popullsisë boshnjake gjatë agresionit ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës.
Vlerësohet se në këtë qytet janë vrarë mbi tre mijë boshnjakë, ndërsa eshtrat e rreth 500 viktimave ende nuk janë gjetur.
Në shenjë kujtimi për të vrarët, nga ura e famshme e Višegradit mbi lumin Drina u hodhën tre mijë trëndafila – një akt simbolik dhe i dinjitetshëm, në heshtjen që flet më shumë se fjalët.
Një nga momentet më të dhimbshme të përkujtimit ishte xhenazja dhe varrosja e mbetjeve mortore të Ibrahimit Avdagić, i cili ishte vrarë në vitin 1992. Pas më shumë se tri dekadash pritje, familja e tij më në fund arriti t’i sigurojë atij një varr.
“Punonte në centralë, pastaj e morën me autobus duke thënë se do të bëhej këmbim i të burgosurve. Më vonë mësuam se ishte vrarë në autobus. Pas 33 vitesh, e varrosëm. Tani kemi ku të lexojmë Fatiha,” tha vëllai i tij, Eniz Avdagić.
Ibrahimi ishte plotësisht i verbër që nga lindja.
“Imagjinoni çfarë çnjerëzillëku. Vëllai ynë ishte i verbër. Kreu shkollën për telefonistë në Sarajevë, punoi në centralë. Dhe edhe i tillë, dikujt i pengoi. Nuk mund ta kuptoj këtë,” tha mes lotësh Enizi.
Višegradi, sipas dëshmive të të mbijetuarve dhe gjetjeve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, u shndërrua në një vend të shfarosjes sistematike dhe brutale. Një nga krimet më të tmerrshme ndodhi në lagjen Bikavac, ku familje të tëra u dogjën të gjalla.
Esad Tufekçić humbi gruan dhe fëmijët pikërisht në atë llahtarë.
“Të gjithë u dogjën. Më e rënda është që edhe pas 33 vitesh nuk dimë ku janë eshtrat e tyre. Shpresa po zbehet vit pas viti, por ende presim,” tha ai.
Hedija Kasapović, kryetare e Shoqatës “Višegrad 92”, thotë se familjet ende kërkojnë afër 500 persona të zhdukur.
“Asgjë nuk ka ndryshuar. Kriminelët e luftës lëvizin lirshëm nëpër Bosnje dhe në Višegradin tonë. Koha kalon, por ne duket sikur kemi mbetur të ngujuar në atë kohë. Vetëm dhimbje,” u shpreh ajo.
Përkujtimi u mbyll me hedhjen e trëndafilave nga ura e Višegradit, si një mesazh i heshtur por i fuqishëm: Drejtësia mbetet një detyrim.