Një video e kandidatit për kryetar bashkie të qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, në të cilën ai premton arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, është bërë virale në rrjetet sociale pas fitores së tij në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike.
Videoja virale është një pjesë nga intervista që Mamdani dha për gazetarin Mehdi Hasan, e cila u publikua fillimisht në YouTube në dhjetor të vitit të kaluar.
Gjatë intervistës, Hasan e pyeti: “Z. Mamdani, si kryetar bashkie, a do ta mirëprisnit kryeministrin Netanyahu në Nju Jork, duke marrë parasysh që SHBA nuk është nënshkruese e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe ai mund të udhëtojë në SHBA, ndryshe nga shumë vende të tjera? A do ta mirëprisnit atë në qytet?”
“Jo. Si kryetar bashkie, Nju Jorku do ta arrestonte Benjamin Netanyahun. Ky është një qytet që ndan vlera me të drejtën ndërkombëtare. Është koha që edhe veprimet tona të përputhen me këto vlera,” tha Mamdani.
Kur Hasan i kujtoi se SHBA nuk është anëtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Mamdani u përgjigj se kjo nuk është pengesë për të vepruar.
“Jo, është koha të marrim një qëndrim dhe të tregojmë qartë se çfarë jemi të gatshëm të bëjmë për të treguar lidershipin që i mungon administratës federale,” shtoi ai.
Benjamin Netanyahu është i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë për krime lufte në Rripin e Gazës, ku deri më tani janë vrarë mbi 50.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Mamdani arriti një fitore të papritur në raundin e parë të zgjedhjeve për kandidatin demokrat për kryetar bashkie të Nju Jorkut. Ai e prezanton veten si socialist dhe ka premtuar një sërë programesh sociale. Nëse zgjidhet, do të jetë myslimani i parë që mban këtë pozitë në qytetin më të madh amerikan.
Gjatë fushatës, ai tërhoqi vëmendjen edhe për deklaratën e tij në një debat, kur tha se vizita e tij e parë jashtë vendit nuk do të ishte në Izrael – ndryshe nga shumica e kandidatëve të tjerë.