Veprim që zbulon synimin e SHBA-së për t’i intensifikuar sulmet ndaj Iranit: Dislokohen avionë shtesë luftarakë

“The New York Times” raporton se Shtetet e Bashkuara po dërgojnë më shumë avionë luftarakë në Lindjen e Mesme, çka tregon synimin e administratës Trump për t’i përshkallëzuar më tej sulmet ndaj Iranit.

Në raport, “The New York Times” u referohet zyrtarëve amerikanë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.

Ata theksojnë se në Lindjen e Mesme janë dërguar avionë luftarakë F-16 nga Gjermania dhe avionë të padukshëm F-35 nga Britania e Madhe. Bashkë me ta janë dislokuar edhe avionë shtesë për furnizim me karburant në ajër.

Komanda Qendrore Amerikane, e cila mbikëqyr operacionet në rajon, refuzoi ta komentonte dislokimin. Megjithatë, mediumi amerikan thekson se urdhri për dërgimin e avionëve ishte dhënë para sulmit iranian, në të cilin humbën jetën dy ushtarë amerikanë.

Ky sulm shkaktoi zemërim dhe kundërpërgjigje nga amerikanët. Por edhe para këtyre goditjeve, Donald Trump kishte sinjalizuar se planifikonte t’i shtonte sulmet ndaj Iranit gjatë javës së ardhshme dhe se synonte të godiste më shumë infrastrukturë iraniane, përfshirë ura dhe termocentrale.

Përveç zyrtarëve amerikanë, për “The New York Times” folën në kushte anonimiteti edhe zyrtarë ushtarakë izraelitë. Ata e konfirmuan vendimin për dislokimin e avionëve shtesë dhe deklaruan se disa avionë për furnizim me karburant në ajër janë vendosur në bazat e forcave ajrore izraelite.

Kategoritë
BotaLajme