Xherdan Shaqiri ka folur sërish për gjestin e shqiponjës që bëri së bashku me Granit Xhakën dhe Stephan Lichtsteinerin, gjatë ndeshjes së Zvicrës ndaj Serbisë në Kampionatin Botëror të vitit 2018.
Në një prononcim për “RSI Sport”, futbollisti shqiptar ka thënë se para dhe gjatë asaj ndeshjeje kishte pasur provokime të shumta, ndërsa ka theksuar se për të rëndësi kishte fitorja sportive dhe jo aspekti politik, shkruan Indeksonline
Shaqiri pranoi se gjesti ishte një reagim emocional, duke shtuar se situata mori më pas përmasa politike dhe se edhe mediat e kishin tepruar me mënyrën se si e trajtuan atë.
“Besoj se mediat kanë shkruar shumë. Ka pasur provokime para dhe gjatë ndeshjes. Në fund, për mua ishte e rëndësishme të fitoja në aspektin sportiv, jo politik, edhe pse më pas gjithçka mori një dimension politik.
Po, ishte një reagim emocional. Pas gjithë asaj që ishte shkruar dhe provokimeve që kishin ndodhur, besoj se të gjithë e tepruam, përfshirë edhe mediat”, u shpreh Shaqiri.
Ai shtoi se shumë tifozë zviceranë nuk e kishin kuptuar historinë dhe emocionet që qëndronin pas atij gjesti, duke përmendur edhe Granit Xhakën dhe Stephan Lichtsteinerin.
“Shumë zviceranë nuk e kuptuan dhe nuk e njihnin historinë që qëndronte pas këtij veprimi, arsyen pse unë, Graniti dhe Stephani e bëmë atë gjest. Besoj se kishte shumë emocione të përfshira. Mendoj se sot ky veprim nuk do të konsiderohej aq i rëndë”, përfundoi ai.
