Lista Studentore, fituese e zgjedhjeve në Serbi, ka publikuar programin e saj “të shumëpritur”, i cili trajton politikën e brendshme dhe të jashtme, si dhe prioritetet që Serbia do t’i ndjekë.
I publikuar në gazetën serbe “Nova”, lista studentore ka përfshirë edhe qasjen e saj ndaj Republikës së Kosovës, duke iu referuar si “Kosova dhe Metohia”.
Në programin e tyre kundërshtohet pavarësia e Kosovës.
“Ne do të luftojmë për të ruajtur Kosovën dhe Metohinë si pjesë të Serbisë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244. Ne do të kundërshtojmë vazhdimisht pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Republikë të Kosovës dhe nuk do të lejojmë pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Ne do të ndjekim penalisht të gjithë përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për çdo vepër penale të mundshme që lidhet me përfundimin dhe zbatimin e marrëveshjeve jokushtetuese të dëmshme për Serbinë; të gjitha marrëveshjet duhet t’i nënshtrohen një shqyrtimi kushtetues, dhe zbatimi i çdo dispozite jokushtetuese brenda çdo marrëveshjeje të përfunduar është i papranueshëm”, thuhet në programin e tyre.
“Ne do të bëjmë një përpjekje të veçantë për të përmirësuar pozicionin e serbëve në Kosovë dhe Metohi – si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër – duke përfshirë ata në gjashtë komunat me shumicë serbe, si dhe ato në zonat me popullsi të konsiderueshme serbe të vendosura jashtë këtyre komunave”, vijon lista studentore.
“Ne do të përpiqemi të sigurojmë që vendbanime të tilla të jenë të lidhura administrativisht dhe të përfshira në njësitë e vetëqeverisjes lokale me shumicë serbe, si dhe që këto njësi të arrijnë shkallën më të lartë të mundshme të autonomisë nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë. Do të bëjmë përpjekje të veçanta për të krijuar kushte për mbijetesën e pakicës kombëtare gorane, si dhe për të rivendosur njësitë e vetëqeverisjes lokale në zonat ku pjesëtarët e komunitetit goran përbëjnë shumicën”, thuhet tutje.
“Ne do t’i ruajmë institucionet tona arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore në Kosovë e Metohi – me theks të veçantë te Universiteti i Prishtinës (i vendosur përkohësisht në Mitrovicën e Kosovës) – dhe do të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore e fetare, si dhe pronën e Kishës Ortodokse Serbe”, përfundon pjesa për programin ndaj Republikës së Kosovës.
