Vila ku do të takohen Putini, Xi dhe Trumpi: Historitë pas mureve të kompleksit Kylin

Vila ku do të takohen Putini, Xi dhe Trumpi: Historitë pas mureve të kompleksit Kylin

Takimi i parë mes udhëheqësve të Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbahet në vilën Kylin, një kompleks i veçuar buzë liqenit që ndër vite ka pritur ish-udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-il, të dërguarit e Dalai Lamës dhe babanë e Xi Jinpingut.

Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin pritet të diskutojnë për armët bërthamore, luftën në Iran dhe çështje të tjera në kompleksin luksoz, të rrethuar nga pyjet e malit Qilin, në veriperëndim të Shenzhenit.

Kompleksi u ndërtua fillimisht për të strehuar qindra zyrtarë kinezë që udhëtonin drejt Hong-Kongut për ceremoninë e dorëzimit të tij Kinës në vitin 1997. Me këtë dorëzim morën fund më shumë se 150 vjet sundim britanik mbi qytetin.

Sipas kujtimeve të botuara në vitin 2020 nga Li Zibin, asokohe kryetar i bashkisë së Shenzhenit, Hong-Kongu nuk kishte kapacitet për të pritur të gjithë zyrtarët nga Pekini dhe përfaqësuesit e autoriteteve lokale. Këta mund të ndaleshin në Shenzhen gjatë rrugës për në Hong-Kong, ku mund të zhvilloheshin takime dhe aktivitete të rëndësishme.

“Ishte një ngjarje me rëndësi globale dhe një moment historik për Kinën. Megjithatë, kapacitetet pritëse të qytetit ishin shumë larg asaj që pritej të nevojitej”, shkroi ai.

Për këtë arsye, Shenzheni ndërtoi kompleksin Kylin, i njohur edhe si Qilin. Ai mori emrin e një krijese mitologjike kineze që simbolizon begatinë. Kompleksi shtrihet në mbi 200 hektarë dhe përfshin salla banketesh, një fushë golfi dhe vila të projektuara në stil evropian.

Ish-udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-il, qëndroi në vilën Kylin gjatë një vizite të paparalajmëruar në Kinë në janar të vitit 2006. Vizita e tij në Zonën e Posaçme Ekonomike të Shenzhenit nxiti spekulime se ai mund ta hapte ekonominë e vendit të tij ndaj ndërmarrjeve private.

Në vitin 2002, Xi Zhongxun, babai i Xi Jinpingut dhe ish-udhëheqës i lartë i Partisë Komuniste të Kinës, kaloi një periudhë pushimi në kompleks pasi u diagnostikua me kancer. Ai jetonte asokohe në Shenzhen dhe vdiq disa muaj më vonë.

Kompleksi priti gjithashtu bisedimet mes përfaqësuesve kinezë dhe të dërguarve të Dalai Lamës në vitin 2008, dy muaj pasi demonstratat në Lhasa, kryeqytetin e Tibetit, u shndërruan në protesta të dhunshme.

Ndër vizitorët më të pazakontë ishte Lam Wing-kee, një librashitës nga Hong-Kongu, i cili u rrëmbye dhe u burgos për shitjen e librave të ndaluar në Kinën kontinentale. Lam u dërgua në kompleksin Kylin në vitin 2016, pas më shumë se katër muajsh në paraburgim.

Atje e prisnin tre bashkëpunëtorë të tij, punonjës të një shtëpie botuese në Hong-Kong që merrej gjithashtu me libra të ndaluar. Darka iu shërbye në praninë e rojeve dhe nën mbikëqyrjen e tri kamerave të sigurisë. Njëri prej burrave i bëri thirrje Lamit dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të bashkëpunonin me autoritetet dhe i dha secilit rreth 15.300 dollarë.

Kur tre udhëheqësit ta vizitojnë vilën të enjten, ajo mund të jetë disi më pak luksoze se dikur. Sipas një raporti financiar të publikuar në faqen e qeverisë së Shenzhenit, buxheti i kompleksit është ulur me 19 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Raporti thotë se ulja erdhi kryesisht si përgjigje ndaj thirrjeve të Pekinit që autoritetet lokale t’i përdorin fondet me më shumë efikasitet dhe t’i shkurtojnë shpenzimet.

Kategoritë
BotaLajme