Operacioni për vrasjen e biznesmenit hebre në Greqi, Shtuni publikon detaje të rrejtit terrorist, mes tyre edhe një shqiptar

Operacioni për vrasjen e biznesmenit hebre në Greqi, Shtuni publikon detaje të rrejtit terrorist, mes tyre edhe një shqiptar

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me një komplot të dyshuar për vrasje në Greqi, ku në shënjestër ishte një biznesmen greko-hebre, i cili ka lidhje të rëndësishme me industrinë e mbrojtjes në këtë shtet.

Sipas informacioneve të publikuara nga Adrian Shtuni, në prapavijë të këtij operacioni të dyshuar qëndron një rrjet kriminal i lidhur me shërbimet sekrete iraniane dhe me trafikantin iranian të drogës, Naji Sharifi Zindashti, i cili kërkohet nga FBI-ja amerikane.

Objektivi i dyshuar i atentatit ishte Avraam-Minos E. Moissis, 64-vjeçar, biznesmen greko-hebre dhe ish-president i Komunitetit Hebraik të Athinës. Që nga janari i vitit 2025, ai është anëtar joekzekutiv i bordit të kompanisë Intracom Defense, një prej kompanive të rëndësishme greke në industrinë e mbrojtjes.

Kjo kompani ishte blerë në vitin 2023 nga Israel Aerospace Industries (IAI), kompani shtetërore izraelite e hapësirës ajrore dhe mbrojtjes.

Sipas të dhënave të publikuara, personi që dyshohet se drejtonte rrjetin ishte Edris Jahangiri Mavaneh, i cili pretendohet se kishte lidhje të drejtpërdrejta me shërbimet sekrete iraniane dhe merrej me rekrutimin e personave për operacione jashtë vendit.

Mavaneh dyshohet se kishte ngarkuar Zindashtin për të siguruar persona që do ta kryenin atentatin. Ky i fundit kishte mbledhur një grup prej gjashtë shtetasish të Maqedonisë së Veriut, të moshave 29 deri në 73 vjeç, nga Shkupi dhe Kumanova, të cilët kishin të kaluar të lidhur me krimin e organizuar.

Sipas informacioneve nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe Shërbimi Informativ Kombëtar i Greqisë (EYP), tre nga pesë të dyshuarit e arrestuar ishin takuar me Mavaneh në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.

Anëtarët e grupit dyshohet se kishin tentuar të hynin në Greqi për t’iu afruar objektivit. Njëri prej tyre ishte arrestuar në Greqi dhe më pas ishte ekstraduar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa një tjetër ishte kthyer mbrapsht në kufirin e Aleksandrupolit, pasi kishte ardhur nga Turqia.

I arrestuari në Greqi më 27 tetor, për arsye të sigurisë kombëtare, është identifikuar si Shpëtim Musliu, 30-vjeçar. Ai iu dorëzua autoriteteve në Shkup më 12 nëntor, në të njëjtën ditë kur u zhvilluan operacionet për arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij të dyshuar.

Sipas burimeve të tjera, informacione që ndihmuan në identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në këtë rast u ishin ofruar autoriteteve greke dhe atyre të Maqedonisë së Veriut edhe nga Mossad-i izraelit.

Emri i Naji Sharifi Zindashtit kishte tërhequr vëmendjen e autoriteteve amerikane edhe në një rast tjetër, të bërë publik në janar të vitit 2024.

Departamenti amerikan i Drejtësisë e kishte akuzuar atë për organizimin e një komploti për vrasjen e dy disidentëve iranianë që jetonin në Maryland të Shteteve të Bashkuara.

Kategoritë
BotaLajme