Elon Musk, i cili shpenzoi qindra miliona dollarë për të mbështetur republikanët në zgjedhjet për Kongresin amerikan, tha se ndihet budalla që shpenzoi kaq shumë dhe se nuk e konsideron veten pjesë të lëvizjes MAGA të presidentit amerikan Donald Trump.
Njeriu më i pasur në botë i bëri këto deklarata të mërkurën në konferencën DealBook Summit, të organizuar nga gazeta The New York Times.
“Ndihem goxha budalla që shpenzova kaq shumë para dhe pashë kaq pak rezultate”, tha Musk. Ai shtoi se pa atë mbështetje, rezultati “ndoshta do të kishte qenë shumë më i keq”.
Sipas të dhënave të OpenSecrets, organizatë që monitoron financimin e fushatave zgjedhore, Musk i mbështeti republikanët me të paktën 445 milionë dollarë. Në zgjedhjet e 3 nëntorit, demokratët fituan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit.
“Kjo tregon se paratë nuk vendosin gjithçka në zgjedhjet amerikane. Mund të shpenzosh shumë para në zgjedhje dhe të kesh relativisht pak ndikim”, tha Musk. Ai shtoi se, po të mund ta kthente kohën pas, do të shpenzonte më pak.
Kur u pyet për përkatësinë e tij politike, Musk tha se nuk është pjesë e lëvizjes së Trumpit.
“Nuk jam i sigurt se çfarë do të thotë MAGA, por nëse do të thotë të ndjekësh verbërisht politikat e Partisë Republikane, atëherë unë sigurisht nuk e bëj këtë”, tha ai. Musk e përshkroi politikën si “shumë fisnore”, duke thënë se njerëzit nuk shohin asgjë të mirë te partia tjetër.
Ai shtoi se nuk mbështet as një shumicë të cilësuar republikane në Kongres.
“Mendoj se duam të kemi njëfarë kontrolli dhe ekuilibri”, tha ai.
Musk kishte mbajtur në tubime kapele me sloganin e Trumpit “Make America Great Again”, ndërsa në një tubim zgjedhor në vitin 2024 e kishte quajtur veten “MAGA i errët”. Në vitin 2025, ai drejtoi për disa muaj Departamentin e Efikasitetit Qeveritar (DOGE) të administratës Trump. U largua nga posti pas prishjes së marrëdhënieve me presidentin amerikan.
