Bosnja dhe Hercegovina ua ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit, Zvonko dhe Zharko Veselinoviqit

Bosnja dhe Hercegovina ua ndalon hyrjen Milan Radoiçiqit, Zvonko dhe Zharko Veselinoviqit

Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjës dhe Hercegovinës (OSA) ua ka ndaluar hyrjen në vend shtetasve të Serbisë Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe Zharko Veselinoviq.

Ndaj Milan Radoiçiqit, i cili po hetohet në Serbi për përplasjen e armatosur në Banjskë të Kosovës, është caktuar masa e paraburgimit në Beograd. Për të është lëshuar edhe një urdhërarrest, pasi më 15 nëntor nuk u paraqit në polici. Sipas artikullit, Radoiçiqi duket se gëzonte mbrojtjen e regjimit të Aleksandar Vuçiqit.

Në Serbi, ai dyshohet për bashkim me qëllim të kryerjes së veprave penale, për prodhim, posedim, mbajtje dhe qarkullim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese, si dhe për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Ish-inspektori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, i tha televizionit N1 se ka informacione jozyrtare sipas të cilave Radoiçiqi u largua nga Serbia më 12 nëntor dhe shkoi në Moskë.

Në Kosovë, tre anëtarë të grupit të Radoiçiqit janë dënuar për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra zyrtari i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Dy prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa i treti me 30 vjet burgim.

Biznesmeni kontrovers Zvonko Veselinoviq, i cili konsiderohet një nga njerëzit më me ndikim në Serbi dhe shumë i afërt me strukturat në pushtet, udhëtoi nga Sarajeva për në Stamboll me një fluturim të hershëm më 11 nëntor, sipas informacioneve të publikuara nga KRIK.

Prej vitesh, Veselinoviqi është konsideruar një figurë e paprekshme, me lidhje që shtriheshin deri në nivelet më të larta të pushtetit në Serbi. KRIK ka raportuar më herët me hollësi për afërsinë e tij me Andrej Vuçiqin, vëllain e presidentit të Serbisë. Sipas artikullit, falë kësaj mbrojtjeje, kompanitë e ndërtimit të Veselinoviqit përfitonin kontrata fitimprurëse në projekte të mëdha shtetërore të infrastrukturës, me vlerë prej qindra milionë eurosh.

Akuza më e rëndë ndaj tij lidhet me përfshirjen e dyshuar në vrasjen e politikanit të moderuar serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018. Prokuroria e Kosovës dyshon për përfshirjen në këtë vrasje të Veselinoviqit dhe të Milan Radoiçiqit, me të cilin ai ka lidhje kumbarie. Hyrja në Bosnjë dhe Hercegovinë i është ndaluar edhe vëllait të tij, Zharko Veselinoviqit, i cili tashmë figuron në listën amerikane të personave të sanksionuar.

Departamenti amerikan i Thesarit i ka lidhur të dy vëllezërit me një organizatë kriminale. Sipas vlerësimit të tij, marrëveshjet politike përfshinin mbështetjen për Partinë Përparimtare Serbe (SNS) në këmbim të favoreve për bizneset e tyre dhe qasjes në kontrata infrastrukturore.

Sipas artikullit, persona të afërt me qarqet kriminale dhe me pushtetin në largim në Serbi po vendosin të largohen nga vendi nga frika e proceseve gjyqësore pas marrjes së detyrës nga qeveria e re.

Kategoritë
LajmeRajoni