Së shpejti në Bruksel do të ketë një takim në nivel të kryenegociatorëve mes Kosovës e Serbisë. Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se ndërmjetësuesi i BE-së është duke planifikuar që të organizojë së shpejtë këtë takim mes tyre.
Stano theksoi se ky takim është në vazhdën e diskutimeve nga takimi jozyrtar i 26 tetorit, për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
“Lehtësuesi i BE-së po planifikon të organizojë së shpejti një takim në nivelin e kryenegociatorëve për të vazhduar diskutimet për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit në vazhdim të takimit jozyrtar në mbështetje të Dialogut të 26 tetorit”, tha Stano në një përgjigje dhënë për Reporteri.net.
Pa ndonjë përparim, Kosova dhe Serbia përmbyllën një maratonë takimesh të enjten e 26 tetorit në Bruksel.
Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.
Siç deklaroi Borrell, pas takimeve në Bruksel, palët nuk arritën të pajtoheshin pasi tha se secila kishte parakushte që nuk i pranonte pala tjetër.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës pas takimeve ka konfirmuar, se kryeministri Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga diplomatët-euroatlantikë javën e shkuar.
Megjithatë, sërish nuk ka pasur nënshkrime të palëve, pasi siç ka thënë Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media të enjten pas takimeve në Bruksel, një gjë e tillë është refuzuar nga Serbia.
Jeffrey Hovenier, ambasadori amerikan në Kosovë, mbrëmë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës plotësisht e mbështesin propozimin evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që iu prezantua kryeministrit Albin Kurti nga pesëshja diplomatike, më 21 tetor.
Hovenier th ase ShBA është në të njëjtën linjë me Francën, Gjermaninë, dhe Italinë për draft-statutin e Asociacionit, shkruan Reporteri.net.
“Në deklaratën e fundit të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, ata përshkruan draft-statutin – që ata e dinë se e miratojnë plotësisht dhe do të shtoj, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht – si një “mënyrë bashkëkohore evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane brenda parametrave të përcaktuar nga palët”. Ne pajtohemi me këtë”, deklaroi ai në Kanal 10.
Tutje, ambasadori Hovenier shtoi se Asociacioni “është një përkushtim, obligim i Kosovës” por se gjithashtu ShBA e kuptojnë dhe pranojnë se “ai Asociacion i komunave me shumicë serbe duhet të kufizohet në mënyra të caktuara”, tha ambasadori në Kanal 10./Reporteri.net/