Takimi i parë pas më shumë se katër vitesh: Lavrov bisedoi me ministrin e Jashtëm gjerman Wadephul

Takimi i parë pas më shumë se katër vitesh: Lavrov bisedoi me ministrin e Jashtëm gjerman Wadephul

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov u takua të shtunën në New York me homologun e tij gjerman Johann Wadephul, në atë që ishte takimi i parë bilateral mes ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Gjermanisë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Takimi u mbajt në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe, sipas Moskës, iniciativa për këtë takim erdhi nga pala gjermane.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, njoftoi në Telegram se Wadephul kishte kërkuar takim me Lavrovin. Në të njëjtën kohë, ajo kritikoi kërkesat e palës gjermane lidhur me organizimin e takimit, përfshirë kufizimin e qasjes së mediave, ndalimin e pyetjeve dhe ndalimin e incizimit audio të deklaratave hyrëse.

Detajet e bisedës mes dy ministrave ende nuk janë bërë publike.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, takimi zgjati pak më shumë se 20 minuta dhe u zhvillua në një sallë të siguruar nga delegacioni rus në ndërtesën e OKB-së. Pas bisedës, Lavrov dhe Wadephul u shtrënguan duart para se gazetarët të largoheshin nga salla.

Takimi i fundit ishte zhvilluar në fillim të vitit 2022

Takimi i fundit bilateral në këtë nivel ishte zhvilluar në janar të vitit 2022, kur Lavrov ishte takuar në Moskë me ministren e atëhershme të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ministrat e Jashtëm të dy vendeve nuk kishin zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta bilaterale, megjithëse zyrtarë rusë dhe gjermanë janë takuar në kuadër të forumeve të ndryshme ndërkombëtare.

Takimi i sotëm u zhvillua në një kohë të tensioneve të shtuara mes Berlinit dhe Moskës, por edhe të përpjekjeve intensive ndërkombëtare për të gjetur një mënyrë për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Nuk u bë menjëherë e ditur se për cilat çështje konkrete kishin biseduar Lavrov dhe Wadephul.

Wadephul akuzoi Rusinë për përshkallëzim

Vetëm disa ditë para takimit, ministri gjerman kishte shprehur shqetësim për përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe kishte akuzuar Rusinë për intensifikimin e sulmeve hibride ndaj vendeve evropiane dhe shteteve që mbështesin Ukrainën.

“Sulmet hibride ruse ndaj atyre që mbështesin Ukrainën dhe të drejtën ndërkombëtare kanë arritur një nivel të ri”, deklaroi Wadephul gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme.

Gjermania në javët e fundit e ka akuzuar Rusinë edhe për një përpjekje sulmi me dron ndaj aeroportit Leipzig/Halle. Për këtë arsye, Berlini njoftoi sanksione të reja kundër Moskës, përfshirë ndërprerjen e kontratës për menaxhimin e Shtëpisë Ruse në Berlin, për të cilën autoritetet gjermane dyshojnë se përdoret si mbulesë për aktivitete të spiunazhit.

Moska i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka paralajmëruar kundërmasa. Rusia, ndër të tjera, urdhëroi mbylljen e Institutit Goethe në vend.

Medvedev kërcënon Gjermaninë

Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, deklaroi se Gjermania meriton ndëshkim për atë që ai e quajti “politikë antiruse”.

Medvedev përmendi posaçërisht mundësinë e “sulmeve të drejtpërdrejta” ndaj prodhuesve gjermanë të pajisjeve ushtarake që furnizojnë Ukrainën me armë.

Gjermania është një nga aleatet kryesore evropiane të Ukrainës, e cila që nga shkurti i vitit 2022 po mbrohet nga pushtimi rus dhe merr ndihmë financiare dhe ushtarake nga vendet perëndimore.

Pas zvogëlimit të mbështetjes amerikane për Ukrainën, vendet evropiane po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në mbështetjen e Kievit, ndërsa Gjermania renditet ndër donatorët më të rëndësishëm evropianë.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova