Ushtrimet fizike mund të ulin rrezikun e vdekjes tek pacientët me kancer me një të tretën, të ndalojnë rikthimin e tumoreve dhe janë madje më efektive se ilaçet, sipas rezultateve të një studimi historik që mund të transformojë udhëzimet shëndetësore në mbarë botën.
Për dekada me radhë, mjekët kanë rekomanduar një stil jetese të shëndetshëm për të ulur rrezikun e zhvillimit të kancerit. Por deri tani ka pasur pak prova mbi ndikimin e këtij stili jetese pas diagnostikimit, dhe pak mbështetje për përfshirjen e ushtrimeve në rutinën e pacientëve.
Tani një studim i parë në botë, që përfshiu pacientë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Franca, Kanadaja dhe Izraeli, ka zbuluar se një regjim i strukturuar ushtrimesh pas trajtimit mund të reduktojë ndjeshëm rrezikun e vdekjes, të rikthimit të sëmundjes apo zhvillimit të një kanceri të ri, shkruan The Guardian.
Rezultatet u prezantuan në Çikago, në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Onkologji Klinike (ASCO), konferenca më e madhe e kancerit në botë, dhe u botuan në New England Journal of Medicine.
Për herë të parë në historinë mjekësore, ka prova të qarta se ushtrimet janë më të mira në parandalimin e rikthimit të kancerit dhe vdekjes sesa shumë nga ilaçet që aktualisht përshkruhen për pacientët, tha një nga mjekët më të njohur të kancerit në botë.
Dr. Julie Gralow, drejtoreshë mjekësore e ASCO, e cila nuk ishte e përfshirë në studimin dhjetëvjeçar, tha se cilësia e të dhënave ishte “në nivelin më të lartë të provave shkencore” dhe se ato do të çonin në “një ndryshim të madh në mënyrën si kuptohet rëndësia e inkurajimit të aktivitetit fizik gjatë dhe pas trajtimit”.
Pacientët që filluan një regjim të strukturuar ushtrimesh me ndihmën e një trajneri personal apo këshilluesi shëndetësor pas përfundimit të trajtimit, patën një rrezik 37% më të ulët për të vdekur dhe një rrezik 28% më të ulët për rikthimin apo zhvillimin e një kanceri të ri, në krahasim me ata që morën vetëm këshilla për stilin e jetesës, zbuloi studimi.
E pyetur për të vënë në kontekst efektin e ushtrimeve tek pacientët me kancer, Gralow tha: “Seancës ku u prezantua i vumë titullin ‘Po aq efektive sa një ilaç’. Unë do ta kisha titulluar ‘Më e mirë se një ilaç’, sepse nuk ka të gjitha efektet anësore”.
“Është një përfitim në të njëjtën përmasë si shumë ilaçe që miratohen për një efekt të tillë – 28% ulje e rrezikut të rikthimit, 37% ulje e rrezikut të vdekjes. Ilaçet miratohen edhe për më pak se kaq, dhe janë të shtrenjta dhe toksike”.
“Kur fillova para tre dekadash, ishte ende koha kur i thoshim pacientëve të jenë të kujdesshëm gjatë kimioterapisë. Kjo është përmbysur,” shtoi ajo. “Do të thoja që [ushtrimet] janë më të mira se një ilaç”.
Në këtë studim, studiuesit përfshinë 889 pacientë me kancer koloni nga viti 2009 deri në 2023. Shumica (90%) kishin sëmundje të stadit të tretë. Pacientët u ndanë rastësisht në dy grupe: njëri mori pjesë në një program të strukturuar ushtrimesh (445 veta), ndërsa grupi tjetër mori vetëm një broshurë për stilin e jetesës së shëndetshme (444 veta).
Grupi i ushtrimeve punoi me një trajner personal dy herë në muaj për seanca trajnimi dhe ushtrimesh të mbikëqyrura, dhe më vonë një herë në muaj, për gjithsej tre vjet.
Pacientët u ndihmuan për të arritur objektiva specifike ushtrimesh. Qëllimi javor ishte ekuivalenti i tre deri në katër ecjeve nga 45 deri në 60 minuta, por pacientët mund të zgjidhnin vetë si të bëheshin më aktivë. Disa zgjodhën të bënin kajak apo ski, për shembull.
Pas pesë vjetësh, pacientët në grupin e ushtrimeve kishin një rrezik 28% më të ulët për kancer të ri apo rikthim, krahasuar me grupin tjetër. Pas tetë vjetësh, të njëjtët pacientë kishin një rrezik 37% më të ulët për të vdekur sesa ata që kishin marrë vetëm broshurën.
“Pas operacionit dhe kimioterapisë, rreth 30% e pacientëve me kancer të zorrës së trashë në stadin e dytë me rrezik të lartë dhe në stadin e tretë do të përjetojnë rikthimin e sëmundjes,” tha autori kryesor i studimit, Dr. Christopher Booth nga Universiteti Queen’s në Kingston, Kanada. “Si onkologë, një nga pyetjet më të zakonshme që na bëjnë pacientët është: ‘Çfarë tjetër mund të bëj për të përmirësuar rezultatin tim?’”
“Këto rezultate tani na japin një përgjigje të qartë: një program ushtrimesh që përfshin një trajner personal do të ulë rrezikun e kancerit të ri apo rikthimit, do t’ju bëjë të ndiheni më mirë dhe do të ndihmojë të jetoni më gjatë”.
Prof. Charles Swanton, shefi klinik i organizatës Cancer Research UK, e cila financoi pjesën britanike të studimit, tha: “Ky studim mbresëlënës tregon fuqinë e ushtrimeve për të transformuar shëndetin e njerëzve dhe për të rritur shanset e tyre për të mbijetuar pas trajtimit të kancerit. Për një ndërhyrje që nuk është ilaç, ushtrimet ofrojnë përfitime të jashtëzakonshme për pacientët.”
Për disa pacientë, “aktiviteti fizik mund të jetë faktori që ndryshon rrjedhën e rikuperimit të tyre”, shtoi Swanton. “Zbulimet sugjerojnë që onkologët duhet të konsiderojnë rekomandimin e një programi të strukturuar ushtrimesh pas operacionit për të përmirësuar shanset e mbijetesës.”
“Por është e rëndësishme të kujtojmë se ushtrimet nuk janë zgjedhja më e mirë për të gjithë. Këshilla ime për pacientët me kancer është të flasin me mjekun përpara se të fillojnë ndonjë aktivitet të ri fizik”.
Zbulimet pritet të ndryshojnë praktikën globale, me mjekë nga e gjithë bota që po inkurajohen të diskutojnë programet e ushtrimeve me pacientët e tyre pas trajtimit, thanë onkologët në Çikago.
Edhe pse ky studim përfshiu vetëm pacientë me kancer koloni, Gralow tha se nuk ka arsye për të menduar se rezultatet nuk janë të zbatueshme edhe për lloje të tjera të kancerit. Booth tha se do të nevojiten studime për kancere të tjera, por shtoi se të dhënat sugjerojnë një incidencë më të ulët të kancerit të gjirit dhe prostatës në grupin e ushtrimeve.
“Ushtrimet si ndërhyrje janë një zgjedhje e qartë dhe duhet të zbatohen gjerësisht”, tha Dr. Pamela Kunz nga Yale School of Medicine.
Duke reaguar ndaj zbulimeve, Prof. Sir Stephen Powis, drejtor mjekësor kombëtar i NHS England, tha se ishte “jashtëzakonisht emocionuese” që ushtrimet e përshtatura pas trajtimit mund të jenë “jetëndryshuese”.
“Këto zbulime historike sugjerojnë se hapa të përqendruar drejt aktivitetit fizik, nga ecjet deri te ushtrimet, mund të rrisin aftësinë e trupit për të parandaluar rikthimin e kancerit pas trajtimit dhe të ndihmojnë në shpëtimin e më shumë jetëve”.
“Të qenët më aktiv ka përfitime të mëdha: ndihmon në mbajtjen e një peshe të shëndetshme, forcon sistemin imunitar, ul inflamacionin dhe përmirëson humorin – dhe tani është inkurajuese të shohësh që ushtrimet me të vërtetë mund të ndihmojnë më shumë njerëz të mbijetojnë nga kanceri”. /Telegrafi/