Organizata për të drejtat e fëmijëve Defense for Children International – Palestina (DCI-P) ka publikuar detaje rreth vrasjes së një djali palestinez 13-vjeçar, të kryer nga forcat izraelite të hënën pasdite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Si ndodhi?
Fëmija, Ammar Motaz Mostafa Hamayel, po eçte me një shok pranë fshatit Kafr Malek, kur u qëllua në shpinë nga forcat izraelite, të cilat ishin të fshehura mes pishave dhe hapën zjarr nga një distancë prej 500 deri në 1.000 metra, njoftoi organizata.
Ngjarja ndodhi në të njëjtën zonë ku të mërkurën në mbrëmje kolonët izraelitë kishin sulmuar fshatin, duke vrarë tre banorë palestinezë, sipas Al Jazeera.
Refuzuan ndihmën dhe sulmuan të afërmit
Sipas raportit, forcat izraelite mbajtën Ammarin në vendin e ngjarjes për dy orë, përpara se ta dorëzonin tek ekipi i ndihmës së shpejtë që e dërgoi në spital, ku u shpall i vdekur.
“Gjatë kësaj kohe, ushtarët izraelitë sulmuan fizikisht disa anëtarë të familjes dhe fqinjë që përpiqeshin t’i afroheshin djalit dhe t’i jepnin ndihmë”, thuhet në deklaratën e DCI-P.
Statistika tronditëse
Ammar është fëmija i 29-të palestinez që është vrarë nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga fillimi i vitit 2025, sipas të dhënave të organizatës për mbrojtjen e fëmijëve.
Ky rast është pjesë e një trendi alarmues të dhunës kundër fëmijëve palestinezë, që po nxit reagime gjithnjë e më të ashpra nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.