Ushtria izraelite kryen bastisje në Bregun Perëndimor të pushtuar

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa raportoi se “Forcat speciale (izraelite) rrethuan një shtëpi në Deir al-Ghusun mes të shtënave të vazhdueshme me armë zjarri”

Ushtria izraelite të premten vonë bastisi qytezën Deir Al-Ghusun, në verilindje të qytetit Tulkarm, në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa raportoi se “Forcat speciale (izraelite) rrethuan një shtëpi në Deir al-Ghusun mes të shtënave të vazhdueshme me armë zjarri”.

“Përforcime mbërritën nga pika e kontrollit ushtarak Annab drejt qytezave Anabta, Bal’a dhe Deir Al-Ghusun”, shtoi ajo.

Përdorues të mediave sociale thanë gjithashtu se përleshje të armatosura shpërthyen në Deir Al-Ghusun midis ushtrisë izraelite dhe palestinezëve.

Tensionet kanë qenë të larta në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që kur Izraeli nisi një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse kundër Rripit të Gazës, e cila ka vrarë mbi 34.600 njerëz, pas një inkursioni nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.

Të paktën 491 palestinezë janë vrarë dhe mbi 4.950 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme