Ushtria izraelite kryen bastisje në Bregun Perëndimor, 4 palestinezë të plagosur dhe disa të arrestuar

Dëshmitarët thanë se forcat izraelite kryen kontrolle në disa shtëpi dhe dyqane në zonë si dhe arrestuan disa palestinezë

Forcat e ushtrisë izraelite kanë qëlluar dhe kanë plagosur katër palestinezë, përfshirë dy në gjendje kritike, gjatë bastisjeve ushtarake në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor, transmeton Anadolu.

Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve WAFA, incidentet ndodhën kur forcat izraelite bastisën qytetin e vjetër të Nablusit, duke shkaktuar përleshje me banorët e zemëruar.

Agjencia e lajmeve tha se forcat izraelite bllokuan ambulancat dhe mjekët që të arrinin në vendngjarje për të evakuuar të plagosurit.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze konfirmoi se mjekët e saj trajtuan dhjetëra njerëz në zonë, përfshirë tre që pësuan plagë nga armë zjarri.

Dëshmitarët thanë se forcat izraelite kryen kontrolle në disa shtëpi dhe dyqane në zonë si dhe arrestuan disa palestinezë.

Sipas dëshmitarëve, ushtria izraelite zgjeroi bastisjen e saj në qytet duke përfshirë kampin e refugjatëve Balata në Nablusin lindor.

Kryetari i Bashkisë së Nablusit, Ghassan Daghlas pezulloi punën në të gjitha institucionet publike, shkollat ​​dhe universitetet në qytet për shkak të bastisjes izraelite.

Sipas shifrave të Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, që nga fillimi i sulmeve të Izraelit në Gaza më 7 tetor të vitit 2023, të paktën 974 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 7 mijë të tjerë janë plagosur në Bregun Perëndimor nga forcat dhe kolonët izraelitë.

Në një opinion historik korrikun e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Kategoritë
BotaLajme