Ushtria amerikane kishte realizuar një simulim lufte me Iranin që në vitin 2002 – rezultati i ushtrimit ishte një humbje e plotë për amerikanët. Ushtrimi “Sfida e Mijëvjeçarit 2002” ishte simulimi më i shtrenjtë ushtarak që ishte zhvilluar ndonjëherë dhe synonte të testonte teknologjitë më të reja të ushtrisë amerikane. Por gjithçka u shndërrua në një farsë në momentin kur forcat e kuqe (që përfaqësonin Iranin) nisën të fitonin.
Ushtria amerikane shpesh i cilëson simulimet e operacioneve ofensive si një nga aftësitë kryesore për suksesin ushtarak. Modelet e kompjuterizuara të skenarëve dhe aktorëve janë një element kyç në vlerësimin e forcës ushtarake të SHBA-së dhe të shteteve të tjera, duke ndihmuar në parashikimin e lëvizjeve të mundshme të kundërshtarit.
Në këtë kontekst, gjatë verës së vitit 2002, nisi simulimi më i madh dhe më i kushtueshëm i ushtrisë amerikane, me emrin “Millennium Challenge 2002”. Qëllimi i tij ishte testimi i një doktrine të re amerikane të quajtur “Operacionet e fokusuara në efektin përfundimtar” dhe “Veprimet ushtarake të shpejta dhe vendimtare”.
Simulimi përfshinte dy palë: Forcat Blu, që përfaqësonin ushtrinë amerikane, dhe Forcat e Kuqe, që përfaqësonin një shtet të Gjirit Persik me kapacitete të modeluara sipas Iranit. Komandant i Forcave Blu ishte gjeneral-lejtnant Burwell B. Bell, ndërsa komandant i Forcave të Kuqe (OPFOR) ishte gjenerali Paul Van Riper.
Simulimi ishte një përzierje e lëvizjeve reale ushtarake, ushtrimeve në terren dhe modelimeve kompjuterike për zhvillimin e skenarëve të luftës. Ushtrimi ishte zhvilluar për dy vjet dhe kishte kushtuar 250 milionë dollarë, me pjesëmarrjen e 13.500 trupave ushtarake nga 17 vende simulimi dhe 9 qendra stërvitjeje.
Skenari i ushtrimit ishte vendosur në vitin 2007 dhe përfshinte ndalimin e aksesit në zona strategjike. Ekipi Blu drejtohej nga 350 oficerë nën komandën e gjeneralit Bell, ndërsa OPFOR-i i Kuq përbëhej nga 90 veta nën drejtimin e Van Riper-it.
Komanda e përbashkët zgjodhi Van Riper-in për të udhëhequr OPFOR-in, duke e konsideruar atë si një strateg të zoti dhe një luftëtar profesionist. OPFOR-i, që në mënyrë të nënkuptuar përfaqësonte Iranin ose Irakun, kishte një plan të detajuar fushate, qëllimi i të cilit ishte ruajtja e regjimit dhe zvogëlimi i pranisë amerikane në rajon.
Në anën tjetër, Forcat Blu kishin një plan që përfshinte sigurimin e rrugëve detare, shkatërrimin e armëve të shkatërrimit në masë të OPFOR-it dhe detyrimin e regjimit kundërshtar të hiqte dorë nga synimet e tij hegjemoniste në rajon.
E veçanta që e bënte këtë simulim edhe më të rëndësishëm ishte se Van Riper kishte komanduar më herët Forcat e Kuqe në një simulim tjetër, ku forcat e tij ishin shkatërruar përmes teknologjive që nuk ishin as operacionale në atë kohë. Për këtë ai kishte dorëzuar një ankesë.
Në “Millennium Challenge 2002”, lëvizjet e Van Riper-it monitoroheshin nga e ashtuquajtura “Qeliza e Bardhë”, që kontrollonte simulimin. Të dy palëve iu lejohej të lëviznin trupat natën, por askush nuk mund të niste sulme gjatë asaj kohe. Megjithatë, Forcat e Kuqe ishin të kufizuara në përdorimin e kapaciteteve ushtarake të mundshme për vitin 2007, ndërsa Forcat Blu kishin të drejtë të përdornin të gjitha kapacitetet.
Më pas ndodhi ajo që u quajt “humbja e rëndë e Forcave Blu”.
Ekipi Blu dërgoi një ultimatum me tetë pika, ku pika e fundit kërkonte dorëzimin e regjimit të Kuq. Van Riper e dinte se regjimi i tij nuk mund ta pranonte këtë, dhe gjithashtu e parashikonte se amerikanët nuk do të fillonin ndërhyrjen pa ardhjen e një grupi aeroplanmbajtës. Duke ditur që në momentin që Forcat Blu do të hynin në Gjirin Persik do të sulmonin të parat, Van Riper vendosi të sulmonte i pari me raketa kruz, dronë dhe torpedo vetëvrasëse.
Rezultati ishte tronditës: 19 anije amerikane u shkatërruan në një sulm të vetëm, përfshirë një aeroplanmbajtëse.
E gjithë ngjarja përfundoi për 5 deri në 10 minuta, tha Van Riper. Duke ditur se do të pasonte një desant amfib në tokën e Kuqve, ai kishte përgatitur sisteme mbrojtjeje ajrore që mund të shkatërronin avionët amerikanë V-22 Osprey. Por në atë moment Qeliza e Bardhë ndryshoi rregullat e lojës.
Van Riper u urdhërua të vendoste sistemet e mbrojtjes ajrore në vende të dukshme që të ishin më të lehta për t’u goditur nga amerikanët. Kur ai kërkoi të përdorte armë kimike kundër trupave amerikane që kishin zbarkuar, edhe kjo iu ndalua. Për më tepër, Qeliza e Bardhë riktheu në lojë të gjitha anijet e shkatërruara të Forcave Blu.
Kur Van Riper protestoi, atij iu tha: “Po vepron në mënyrë jo tipike. OPFOR nuk do të vepronte ashtu siç veprove ti.”
Pas këtyre zhvillimeve, Van Riper u tërhoq nga funksioni i komandantit të Forcave të Kuqe. Në përfundim, Forcat Blu arritën shumicën e objektivave të tyre, duke shkatërruar forcat ajrore dhe detare të OPFOR-it, duke siguruar rrugët detare dhe duke neutralizuar kapacitetet për armë të shkatërrimit në masë.
Por pasojat e kësaj simulimi ishin të mëdha. Ndërhyrja në skenar dhe manipulimi i rregullave u bë publik dhe shkaktoi reagime të forta në opinionin amerikan. Ministri i Mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe strukturat e komandës u akuzuan për manipulimin e simulimit për të provuar supozimet e tyre.
Van Riper më vonë tha: “Lojërat e luftës zakonisht nuk janë të korruptuara, por kjo ishte një mashtrim. Ishte një farsë për të provuar atë që ata donin të dëshmonin.”
Pikërisht ai u akuzua për shpërndarje të informacioneve të klasifikuara, ndërsa gjenerali Bell që komandonte Forcat Blu u promovua.
Simulimi zbuloi dobësitë dhe avantazhet e mundshme të ushtrisë amerikane në të ardhmen, duke treguar se një qasje arrogante dhe tepër ambicioze, e kombinuar me kreativitetin e një kundërshtari të vendosur, mund të çojë në humbje edhe për një forcë teknologjikisht superiore.