Uran Ismaili i jep fund koalicionit PDK-LDK në Prishtinë

Koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së në nivel të qeverisjes komunale në Prishtinë është shkëputur zyrtarisht sot, menjëherë pas shfuqizimit të vendimit për Badovc në Asamblenë komunale të Kryeqytetit. 

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i degës së PDK’së në Prishtinë dhe ish-kandidati për kryetar të kësaj komune, Uran Ismaili, përmes një postimi në ‘Facebook’.

“Sapo dërgova shkresën zyrtare tek Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionerët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre”, thuhet në postimin e Ismajlit.

“Për dy vjet shërbim, ekipi i PDK-së solli një dinamikë të re në Kryeqytet dhe ka bërë punë të jashtëzakonshme në secilin dikaster. Nën udhëheqjen e shkëlqyer të Nënkryetares Sahatçiu, drejtoritë e udhëhequra nga PDK janë vlerësuar si drejtoritë me performancën më të mirë, brenda dhe jashtë. Gjallërinë, sinqeritetin, pozitivitetin dhe dinamikën që e kishim në fushatën tonë “Prishtina na Bashkon” e kemi përçuar edhe në qeverisjen e Kryeqytetit dhe qytetarët janë dëshmitarët më të mirë për këtë gjë”.

“Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitiat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi