Universiteti i Gentit në Belgjikë ndërpret lidhjet me 3 institucione izraelite

Vendimi vjen në mes të protestave të vazhdueshme pro-palestineze në universitet kundër operacioneve të Izraelit në Gaza, duke ndikuar në katër projekte në vazhdim, por institucionet izraelite nuk e kanë komentuar ende këtë vendim

Universiteti belg i Gentit ka njoftuar se po ndërpret lidhjet me tre institucione arsimore dhe kërkimore izraelite, duke përmendur mos përputhjen me politikat e të drejtave të njeriut, transmeton Anadolu.

“Aktualisht ne i vlerësojmë këta tre partnerë si problematik sipas analizës të të drejtave të njeriut të Universitetit të Gentit, në kundërshtim nga vlerësimi pozitiv që u dhamë këtyre partnerëve në fillim të bashkëpunimit tonë”, tha Rik Van de Walle, rektor i Universiteti të Gentit.

Walle gjithashtu tha se universiteti po përfundon bashkëpunimin me Institutin e Teknologjisë Holon, Institutin Kërkimor MIGAL Galile dhe Qendrën Volcani që është e specializuar në kërkimin bujqësor.

Vendimi vjen në mes të protestave të vazhdueshme pro-palestineze në universitet kundër operacioneve të Izraelit në Gaza, duke ndikuar në katër projekte në vazhdim, por institucionet izraelite nuk e kanë komentuar ende këtë vendim.

Hetimi i universitetit theksoi shqetësime që kanë të bëjnë me lidhjet e instituteve MIGAL dhe Volcani me ministritë izraelite dhe ofrimin e mbështetjes materiale nga Instituti Holon për ushtrinë izraelite për operacionet në Gaza.

Sipas gjetjeve të universitetit, kjo i ka bërë bashkëpunimet “të padëshirueshme”.

Protestuesit në universitet përshëndetën vendimin, por e quajtën atë vetëm një hap të parë, duke u zotuar se do të vazhdojnë pushtimin e tyre derisa universiteti “të thyejë të gjitha lidhjet me institucionet izraelite”.

Kategoritë
BotaLajme