Qeveria britanike po i kërcënon me padi ish-pronarit të Chelsea FC, Roman Abramoviç, për të siguruar që paratë nga shitja e klubit të përfundojnë në ndihmë për Ukrainën.
Autoritetet britanike po mbajnë 2.5 miliardë paund – shumën e shitjes së Chelseat – në një llogari të veçantë bankare në Britani që nga momenti i shitjes së klubit. Abramoviç u sanksionua pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Qeveria britanike dëshiron që kjo shumë të përdoret për ndihmë humanitare për Ukrainën, ndërsa Abramoviç dëshiron që fondet të përdoren për “të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë”.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrja e Financave Rachel Reeves dhe ministri i Jashtëm David Lammy thanë:
“Edhe pse dera për negociata mbetet e hapur, jemi plotësisht të gatshëm të ndërmarrim veprime ligjore nëse është e nevojshme.”
Ata shtuan se duan të “sigurojnë që njerëzit që vuajnë në Ukrainë të përfitojnë sa më shpejt nga këto fonde. Qeveria është e vendosur që paratë nga shitja e Chelsea Football Club të shkojnë për qëllime humanitare në Ukrainë, pas agresionit të paligjshëm të plotë rus. Jemi thellësisht të zhgënjyer që ende nuk është arritur një marrëveshje me zotin Abramoviç.”
Vonesa në lirimin e fondeve është shkaktuar nga mosmarrëveshjet mes qeverisë britanike dhe avokatëve të Abramoviçit.
Abramoviç, një miliarder rus që ka ndërtuar pasurinë e tij në industrinë e naftës dhe gazit, mori leje të veçantë për ta shitur Chelsean pas pushtimit rus, me kushtin që të provonte se nuk do të përfitonte financiarisht nga kjo shitje. Ai thuhet të ketë lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, të cilat ai i mohon.
Sipas sanksioneve britanike, Abramoviçi nuk ka qasje në 2.5 miliardë paund të fituara nga shitja, por ligjërisht paratë ende i përkasin atij. Kur njoftoi shitjen e klubit, Abramoviç deklaroi se të gjitha të ardhurat do të dhuroheshin përmes një fondacioni “në dobi të të gjitha viktimave të luftës në Ukrainë”, përfshirë edhe ata në Rusi.
Qeveria britanike e kundërshtoi këtë, duke thënë se fondet duhet të shpenzohen vetëm për ndihmë humanitare brenda Ukrainës.
Një komision i Dhomës së Lordëve deklaroi vitin e kaluar se ishte “e pakuptueshme” që Abramoviçi ende nuk e kishte përmbushur premtimin e tij për t’i dhënë paratë për ndihmë Ukrainës dhe shtoi se fondet mbeten të ngrira.
Sfondi i shitjes së Chelseat
Paratë nga shitja e Chelseat nga Abramoviçi, që duhej të drejtoheshin për viktimat e luftës në Ukrainë, ende nuk janë liruar nga autoritetet. Në vitin 2023, një zyrtar deklaroi se “mosmarrëveshjet” lidhur me përdorimin e fondeve janë arsyeja pse 2.5 miliardë paund ende nuk janë zhbllokuar.
Nuk është komentuar nëse Abramoviç është drejtpërdrejt përgjegjës për vonesën.
“Nuk duam të spekulojmë,” tha Daniel Drake, zëvendësdrejtor i grupit të punës për sanksionet në Zyrën për Punët e Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim.
“Mendoj se ka një mospërputhje mes atyre që menaxhojnë këtë fond dhe qeverisë.”
Shitja e Chelseat për 4.25 miliardë paund investitorit amerikan Todd Boehly dhe firmës Clearlake Capital u finalizua në maj 2022. Abramoviç kishte njoftuar në mars 2022, një muaj pas pushtimit rus, se të ardhurat do të përdoreshin “në dobi të të gjitha viktimave të luftës në Ukrainë”.
Megjithatë, qeveria britanike refuzoi t’i lëshonte fondet pa garanci që ato do të përdoreshin vetëm për ukrainasit në Ukrainë.
“Paratë nga shitja janë të ngrira në një llogari bankare britanike,” tha ministri për Evropën Leo Docherty përpara Komisionit për Çështjet Evropiane të Dhomës së Lordëve. Miliarderi rus Abramoviç e bleu Chelsean në vitin 2003 për 140 milionë paund. Ai u sanksionua nga qeveria britanike si pjesë e reagimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës.