Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij publik ndau detaje kyçe nga operacioni “Rrjeta e merimangës” dhe zbuloi se shtabi i operacionit në territorin rus ndodhej pranë selisë së Shërbimit Federal të Sigurisë së Federatës Ruse (FSB).
Sipas informacioneve të publikuara, ky detaj tregon qartë se Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) arriti ta mposhtte FSB-në në territorin e saj përmes sulmit të fundit.
Presidenti ukrainas raportoi se si rezultat i sulmit u shkatërrua 34 për qind e avionëve mbajtës të raketave strategjike lundruese, që ndodheshin në bazat e tyre ajrore. Për ta arritur këtë, SBU përdori gjithsej 117 dronë sulmues.
“Ajo që është më interesante – dhe tani mund të thuhet publikisht – është fakti që ‘zyra’ e operacionit tonë në territorin rus ndodhej drejtpërdrejt pranë zyrës së FSB-së në një nga rajonet e tyre,” deklaroi Zelensky.
Blogerët rusë pretendojnë se, bazuar në pamjet që tregojnë montimin e kontejnerëve nga të cilët u lëshuan dronët sulmues, kanë arritur të përcaktojnë vendndodhjen përmes gjeolokalizimit.
Sipas tyre, punishtja ukrainase ishte e vendosur në qytetin Çeljabinsk, në rrugën “Sverdlovski trakt”.
Nga ana tjetër, FSB-ja nuk ka dhënë asnjë informacion për atë që është gjetur apo jo në lokacionet e zbuluara.