Paris Saint-Germain dhe Interi do të përballen në finalen e madhe të futbollit evropian të shtunën mbrëma në Mynih.
Interi do të kërkojë të fitojë titullin e parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 2010, kur u drejtua nga Jose Mourinho, në një kohë kur ekzistojnë pasiguri mbi të ardhmen e trajnerit aktual, Simone Inzaghi.
Ndërkohë, PSG nuk e ka fituar kurrë këtë kompeticion. Megjithatë, trajneri i tyre, Luis Enrique, e ka fituar atë me Barcelonën në vitin 2015.
Skuadra franceze ka eliminuar tre ekipe angleze – Liverpoolin, Aston Villan dhe Arsenalin, për të arritur në finale, ndërsa Interi ka mposhtur Feyenoordin, Bayern Munichun dhe Barcelonën.
Ndeshja do të luhet në “Allianz Arena”, stadiumi i Bayern Munichut.
Megjithatë, stadiumi do të mbajë një emër tjetër të shtunën, për shkak të një rregulli të rreptë të UEFA-s.
UEFA nuk i njeh sponsorizimet e stadiumeve në rregulloret apo dokumentet e saj zyrtare, që do të thotë se emri “Allianz” – një kompani gjermane e shërbimeve financiare me seli në Mynih, duhet të hiqet përkohësisht
Gjatë Euro 2024, stadiumi u quajt “Munich Football Arena” dhe pritet që të rikthehet në këtë emër edhe për finalen e sotme.
Allianz ka sponsorizuar stadiumin e Bayernit që nga hapja e tij në vitin 2005 dhe ka një marrëveshje sponsorizimi që zgjat deri në vitin 2033.
Ky rregull ka ndikuar gjithashtu edhe te Arsenali gjatë ndeshjeve evropiane, pasi stadiumi i tyre, “Emirates Stadium”, njihet thjesht si “Arsenal Stadium” – që për ironi është edhe emri zyrtar që përdorej kur klubi luante në stadiumin e mëparshëm, “Highbury”./Telegrafi/