Udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve të komunave në Veri, është publikuar në Gazetën Zyrtare, më 5 shtator. Kjo nënkupton që kurdo, qytetarët serbë në Veri mund t’i nisin procedurat për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Sipas këtij udhëzimi, një grup qytetarët ndërmarrin iniciativën për largimin e kryetarit të komunës dhe kjo kërkesë duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e votuesve.
Më pas qytetarët duhet ta themelojnë një grup nismëtar, i cili përbëhet nga 3 ose më shumë anëtarë.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, jo më vonë se 5 ditë nga pranimi i njoftimit, shqyrton kërkesën dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.
Grupi nismëtar duhet që brenda 30 ditëve të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve. Ky afat mund të shtyhet vetëm njëherë për 15 ditë.
Grupi nismëtar përgatitë dosjen e kërkesës me nënshkrime dhe ia dorëzon kryesuesit të kuvendit komunal. Një kopje të kërkesës me nënshkrime Grupi nismëtar mund ta dërgojë edhe në KQZ.
Kryesuesi i kuvendit komunal, brenda tre ditëve e dërgon kërkesën me nënshkrime në KQZ. Për dorëzimin e kërkesës, kryesuesi i kuvendit komunal njofton grupin nismëtar dhe Ministrinë.
Pas verifikimit dhe konstatimit se kërkesa është mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar, KQZ njofton kryesuesin e kuvendit komunal, kryetarin e komunës, grupin nismëtar dhe Ministrinë.
Për largimin e kryetarëve, pro duhet të votojnë 50 përqind e votuesve + 1 votë.















