Autoritetet e qytetit Ust-Kut në rajonin Irkutsk të Federatës Ruse kanë lëshuar urdhër arresti për Artem Timofeev, 37 vjeç, i dyshuar për përfshirje në sulmet masive me dronë ndaj bazave ushtarake strategjike në të gjithë Rusinë, të kryera më 1 qershor.
Sipas informacioneve të kanalit Telegram “Baza”, Timofeev është pronari i kamionëve nga të cilët janë lëshuar dronët e përdorur në sulmet ndaj objektivave ushtarake, përfshirë aeroportin Belaya. Edhe pse autoritetet ruse pretendojnë se ai ka lindur në Donjeck, burime të tjera thonë se ai është lindur në Zhytomyr dhe ka jetuar për një kohë në Kiev.
Ai u shpërngul në Rusi disa vite më parë dhe u vendos në rajonin Çeljabinsk, ku ishin të regjistruar edhe anëtarë të familjes së tij. Më parë ka punuar si DJ.
Në tetor të vitit 2024, regjistroi një kompani transporti si sipërmarrës privat, dhe në dhjetor të po atij viti bleu katër kamionë të cilët, sipas raportimeve, u përdorën për transportimin e dronëve të përfshirë në sulm.
Ajo që tërheq vëmendje është fakti se Timofeev, megjithëse shprehte publikisht qëndrime pro-ukrainase në rrjetet sociale – përfshirë fotografi nga Euromaidani – nuk hasi asnjë pengesë në marrjen e shtetësisë ruse, regjistrimin e biznesit, blerjen e kamionëve apo marrjen me qira të depo-ve. Dyshohet se ka ikur nga Rusia me bashkëshorten pak para sulmit.
Sipas portalit ukrainas Censor.NET, duke cituar burime të sigurisë, sulmi i 1 qershorit u krye në kuadër të operacionit special “Rrjeta e merimangës”, të zbatuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU). Objektiv ishin bazat strategjike ruse Olenya, Belaya, Çapilevo dhe Ivanovo, ndërsa u shkatërruan gjithsej 41 aeroplanë ushtarakë rusë, përfshirë bombarduesit strategjikë Tu-95 dhe Tu-22M3, si dhe avionë paralajmërues A-50. Dëmi total vlerësohet në rreth 7 miliardë dollarë.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mori raportin përfundimtar të operacionit nga kreu i SBU-së, Vasyl Maliuk.
Kanalet propagandistike ruse e përshkruajnë Timofeevin si “terrorist dhe përkrahës të regjimit të Kievit”, duke theksuar publikimet e tij pro-ukrainase dhe origjinën e tij. Megjithatë, fakti që ai është lëvizur dhe ka operuar lirshëm në Rusi ka ngjallur pyetje serioze për mbikëqyrjen dhe dështimet e shërbimeve të sigurisë ruse.
Të gjitha degët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rusisë janë përfshirë në kërkimin për Timofeevin. Po ashtu po hetohet edhe roli i shoferëve të kamionëve nga Çeljabinski, të cilët janë arrestuar, si dhe një shtetas bjellorus i cili supozohet se ka tentuar të ndalojë nisjen e dronëve nga kontejnerët në rajonin Irkutsk.
Kanalet ukrainase në Telegram pretendojnë se Timofeev ka ikur nga Rusia menjëherë përpara sulmit.