Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka bërë thirrje të qartë për ndalimin e plotë të armiqësive mes Iranit dhe Izraelit, pas shpalljes së armëpushimit nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Përshëndesim lajmin se Izraeli dhe Irani janë pajtuar për një armëpushim,” thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë turke. Ankara ka kërkuar nga të dyja palët që të “respektojnë plotësisht marrëveshjen” dhe të mbajnë të hapura kanalet e dialogut dhe diplomacisë.
Thirrja e Turqisë vjen pasi vetëm disa orë pas fillimit të armëpushimit janë shfaqur tensione të reja: Izraeli ka akuzuar Iranin për lëshimin e dy raketave balistike ndaj territorit të tij, duke e konsideruar këtë si shkelje të marrëveshjes. Përgjigja izraelite ka qenë e menjëhershme dhe kërcënuese, por ndërhyrja e presidentit Trump i ka zbutur tonet.
“Mos i hidhni ato bomba,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. “Nëse e bëni, kjo është shkelje. Ktheni pilotët në shtëpi, menjëherë.”
Trump u shpreh i zhgënjyer nga të dyja palët, por kritikat më të ashpra i rezervoi për Izraelin:
“E shkelën ata, por edhe Izraeli e shkelu. Nuk jam i kënaqur me Izraelin,” theksoi ai.
Në komentin e tij të drejtpërdrejtë, Trump shtoi:
“Kemi dy vende që janë në luftë kaq gjatë dhe kaq ashpër, sa që nuk e dinë më çfarë, dreqi ta hajë, po bëjnë.”
Turqia, e cila ka përfituar nga roli i ndërmjetësit në krizën izraelito-palestineze dhe më gjerë në Lindjen e Mesme, po përpiqet të luajë një rol aktiv edhe në uljen e tensioneve në këtë konflikt që rrezikon të përshkallëzohet në një luftë më të gjerë rajonale.