Turqia në gatishmëri ushtarake, “blindohet” kufiri me Iranin

Turqia ka forcuar ndjeshëm sigurinë përgjatë kufirit të saj lindor me Iranin, ndërsa tensionet mes Teheranit dhe Tel Avivit vazhdojnë të përshkallëzohen. Lajmi u bë publik nga Reuters, i cili citoi një burim nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë.

Duke folur në kushte anonimiteti, burimi tha se Ankaraja nuk ka parë ende ndonjë fluks të parregullt migracioni nga territori iranian, por po ndërmerr masa parandaluese për të ruajtur sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale.

“Po zhvillojmë një sistem të shtresëzuar dhe të integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore, duke përdorur sisteme të prodhuara në vend,” tha burimi, duke theksuar se objektivi është ruajtja e gatishmërisë së mundshme luftarake në një nivel të lartë.

Masat përfshijnë aktivizimin e avionëve të Reagimit të Shpejtë, të cilët janë ngritur në fluturim që nga momenti kur Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit, një fqinj juglindor të Turqisë. Sipas burimit të Ministrisë së Mbrojtjes, avionët patrullojnë në mënyrë të vazhdueshme kufirin për të monitoruar çdo shkelje të mundshme të hapësirës ajrore nga forcat izraelite.

Kjo lëvizje e Turqisë vjen në një moment tejet delikat, kur rajoni po përballet me mundësinë e një konflikti të gjerë ushtarak mes Iranit dhe Izraelit, që mund të përfshijë aktorë të tjerë ndërkombëtarë si SHBA-ja.

Kategoritë
BotaLajme