Turqia dhe Kosova nënshkruajnë protokoll për “teknopark”

“Falë punimeve që do t’i zbatojmë bashkë me Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë së Kosovës, të rinjve kosovarë do t’u mundësojmë fusha të reja të punësimit”, tha rektori i Universitetit të Trakya-s, Tabakoğlu.

Mes Universitetit të Trakya-s (TÜ) në qytetin Edirne të Turqisë dhe Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë së Kosovës është nënshkruar protokoll për themelimin e “Kosova Teknopark”.

Në njoftimin nga universiteti thuhet se protokolli i modelit të teknoparkut të Universitetit të Trakya-s, që do të zbatohet në Kosovë, është nënshkruar mes ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Rektorit të TÜ Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu në Prishtinë.

Rektori Tabakoğlu në ceremoni tha se janë duke bërë përpjekje për të zhvilluar edhe më shumë marrëdhëniet me Kosovën të cilën e shohin si vend mik dhe vëllazëror.

“Falë punimeve që do t’i zbatojmë bashkë me Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë së Kosovës, të rinjve kosovarë do t’u mundësojmë fusha të reja të punësimit. Duke parandaluar ikjen e trurit do të përshpejtojmë zhvillimin e Kosovës në çdo aspekt”, tha ai.

Ndërkohë Krasniqi tha se Turqia është ndër mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.

Ai duke përkujtuar se Turqia e cila ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës, tha se edhe sot Turqinë e ndjejnë në çdo aspekt dhe në mënyrë të fuqishme pranë tyre.

“Në emër të Kosovës dhe Ballkanit, falënderojmë Turqinë mike dhe vëllazërore dhe Universitetin Trakya, një nga institucionet më të vlefshme të Ballkanit, që e mbështet vendin tonë në çdo rast nga arsimimi i studentëve deri në shërimin e pacientëve tanë”, tha Krasniqi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi