Tulsi Gabbard: Irani mund të prodhojë armë bërthamore brenda disa javësh – ndryshim qëndrimi pas presionit të Trumpit

Drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së SHBA-së, Tulsi Gabbard, ka deklaruar se Irani është në gjendje të prodhojë armë bërthamore brenda “disa javësh”, ndonëse vetëm pak muaj më parë kishte deklaruar në Kongres se Irani nuk është duke zhvilluar armë të tilla.

Sipas Gabbard, deklarata e saj e marsit u keqinterpre­tua nga “media jo e ndershme”, pasi në atë seancë kishte theksuar se Irani posedon materiale të pasuruara, por nuk ka dëshmi se ato po përpunohen për armë bërthamore.

Qëndrimi i saj ndryshoi pas deklaratës së ish-presidentit Donald Trump, i cili kritikoi Gabbard duke thënë se ajo “gaboi” dhe se të dhënat e inteligjencës tregojnë se Irani ka “sasi të mëdha materiali” dhe mund të prodhojë armë bërthamore brenda “muajve të ardhshëm”.

Në reagimin e saj më të fundit në rrjetet sociale, Gabbard shkroi se të dhënat e reja të inteligjencës tregojnë se Irani është “në pikën kur mund të prodhojë armë bërthamore në një periudhë prej disa javësh deri në disa muaj”.

Ndërkohë, Irani vazhdon të deklarojë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore, duke mohuar vazhdimisht se po kërkon të zhvillojë armë bërthamore.

Tensionet u rritën më tej pasi Trump i dha Teheranit një afat maksimal prej dy javësh për të arritur një marrëveshje mbi programin bërthamor, duke paralajmëruar se do të vendosë së shpejti nëse SHBA do të bashkohet me sulmet izraelite kundër Iranit.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi të shtunën në mëngjes se Irani është i gatshëm për një zgjidhje diplomatike, por nuk mund të negociojë me SHBA-në ndërsa “populli i tij po bombardohet”.

Kategoritë
BotaLajme