Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se të dhënat e shërbimeve inteligjente pas sulmeve mbi objektet bërthamore të Iranit nuk ishin përfundimtare, por theksoi se dëmet mund të jenë të mëdha.
“Të dhënat e inteligjencës ishin shumë të paqarta. Inteligjenca thotë se nuk e dimë me siguri. Mund të ketë qenë shumë serioze. Kjo është ajo që sugjerojnë informacionet,” u shpreh Trump për gazetarët para takimit me liderët botërorë në samitin e NATO-s, raporton Reuters.
Siç ishte raportuar më herët, një raport paraprak konfidencial i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) në SHBA tregon se bombardimi amerikan i objekteve bërthamore iraniane nuk ka shkatërruar plotësisht objektet nëntokësore – ndryshe nga ajo që kishte pohuar më parë vetë presidenti Trump.
Megjithatë, Trump këmbënguli se dëmet që iu shkaktuan programit bërthamor iranian janë “shumë serioze” dhe se ka pasur “shkatërrim të konsiderueshëm”.