Trump pas telefonatës me Xi-në: Më pëlqen presidenti kinez, por është i ashpër për të bërë një marrëveshje tregtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, kanë zhvilluar një bisedë telefonike në një moment kritik, teksa negociatat për tarifat tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë kanë ngecur, duke shkaktuar paqëndrueshmëri në tregtinë globale.

Lajmi u konfirmua nga Ministria e Jashtme kineze, e cila bëri të ditur se telefonata ishte iniciuar nga Trump. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë asnjë koment menjëherë pas bisedës.

Vetëm një ditë më parë, Trump kishte pranuar se ishte e vështirë të arrihej një marrëveshje me udhëheqësin kinez.

“Më pëlqen Presidenti XI i Kinës, gjithmonë e kam pëlqyer dhe gjithmonë do ta pëlqej, por ai është shumë i ashpër dhe jashtëzakonisht i vështirë për të bërë një marrëveshje me të!!!”, kishte shkruar Trump të mërkurën në rrjetet sociale.

Negociatat tregtare mes SHBA-së dhe Kinës u ndalën menjëherë pas një marrëveshjeje të përkohshme më 12 maj, që synonte uljen e tarifave për të lehtësuar zhvillimin e bisedimeve. Por, tensionet e vazhdueshme për dominim ekonomik i shtynë palët drejt përplasjes, raporton agjencia e lajmeve AP.

SHBA-të akuzojnë Kinën për bllokimin e eksporteve të mineraleve kritike, ndërsa Kina kundërshton kufizimet që SHBA po vendos mbi shitjen e çipave të avancuar dhe mbi vizat për studentët e saj universitarë.

Në përpjekje për të zbutur klimën e tensionuar, Trump uli përkohësisht tarifat ndaj mallrave kineze nga 145% në 30% për një periudhë 90-ditore, ndërkohë që Kina reduktoi tarifat për mallrat amerikane nga 125% në 10%. Megjithatë, këto lëvizje kanë shkaktuar luhatje të ndjeshme në tregjet financiare dhe kanë rritur rrezikun për një përplasje më të thellë tregtare.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka theksuar se një bisedë direkte midis Trump dhe Xi mund të jetë çelësi për zhbllokimin e ngërçit dhe rifillimin serioz të negociatave. Por edhe pse kontaktet kanë rinisur, tensionet mbeten të pranishme.

Kategoritë
BotaLajme