Trump pas incidentit me Zelenskyn: Nuk është i gatshëm për paqe sa kohë që Amerika është e përfshirë

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se pas takimit në Shtëpinë e Bardhë arriti në përfundimin se Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, nuk është i gatshëm për paqe nëse në negociata është e përfshirë Amerika.

“Sot patëm një takim shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë. U mësuan shumë gjëra që nuk do të mund të kuptoheshin pa një bisedë nën një presion të tillë. Është e pabesueshme se çfarë del në pah përmes emocioneve,” shkroi Trump në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X.

Sipas Trumpit, Zelensky beson se pjesëmarrja e SHBA-së në negociata i jep atij një avantazh të madh.
“Nuk është i gatshëm për paqe sa kohë që Amerika është e përfshirë. Unë nuk dua avantazh, dua paqe. Ai tregoi mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara në Zyrën Ovale. Mund të kthehet kur të jetë i gatshëm për paqe,” përfundoi Trump.

Kujtojmë se Shtëpia e Bardhë njoftoi se konferenca e përbashkët për shtyp u anulua dhe se Zelensky u largua më herët nga rezidenca presidenciale.

Sipas burimeve brenda Shtëpisë së Bardhë, incidenti ndodhi pasi Zelensky i tregoi Trumpit imazhe tronditëse të shkatërrimit në Ukrainë. Trump reagoi ashpër, duke e akuzuar Zelenskyn për mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara./Gazetaere

Kategoritë
BotaLajme