Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, foli në një konferencë për shtyp gjatë samitit të NATO-s në Hagë, ku ndër të tjera lavdëroi suksesin e sulmeve ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
“Siç e dini, fundjavën e kaluar SHBA-ja realizoi me sukses një sulm masiv dhe të saktë ndaj objekteve iraniane për pasurimin bërthamor, dhe ishte jashtëzakonisht i suksesshëm. Quhej shkatërrim. Asnjë ushtri tjetër në botë nuk do të mund ta bënte. Tani ky demonstrim i jashtëzakonshëm i forcës amerikane ka hapur rrugën drejt paqes me një marrëveshje historike për armëpushim,” tha Trump.
Kur u pyet nga gazetarët për hapat e ardhshëm në raport me Iranin dhe nëse Irani ka mundur të zhvendosë materialin bërthamor, Trump u përgjigj se kjo nuk ishte e mundur “sepse është shumë i rëndë për t’u zhvendosur”.
Ai foli gjithashtu edhe për presidentin rus Vladimir Putin, të cilin Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte cilësuar si “armik”.
Trump tha se është e mundur që Putini të ketë ambicie territoriale përtej Ukrainës, por shtoi se “mendon se ai dëshiron të ndalet”.
Ai theksoi gjithashtu se Putin e kishte telefonuar për të ofruar ndihmë në çështjen e Iranit, por Trump kishte refuzuar.
Në konferencë, Trump foli edhe për takimin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, të cilin e përshkroi si “të këndshëm”.
“Ishte shumë i këndshëm. Kemi kaluar kohë të vështira, por ai nuk ka qenë kurrë më i sjellshëm. Mendoj se edhe ai do të donte që kjo të përfundojë,” tha Trump, duke shtuar se së shpejti do të bisedojë me Putinin për të parë “nëse mund ta përfundojmë këtë”.
Lidhur me mundësinë e bisedimeve me Iranin, Trump tha se ato do të mbahen javën tjetër.
“Ndoshta do të nënshkruajmë një marrëveshje. Nuk e di. E vetmja gjë që kërkoj është ajo që kam kërkuar gjithmonë – asnjë armë bërthamore. Por ne tashmë e kemi shkatërruar atë,” përfundoi Trump.