Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka pezulluar kontratat dhe grantet e Universitetit Columbia me vlerë prej 400 milionë dollarësh për shkak të protestave pro-palestineze të organizuara nga studentët e tij.
Sipas shpjegimit zyrtar nga administrata e Trumpit, vendimi u mor për shkak të “mungesës së reagimit ndaj antisemitizmit në rritje në kampusin e tyre.”
Ky universitet ishte epiqendra e protestave më të mëdha pro-palestineze në kulmin e luftës midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.
Anëtarë të Partisë Republikane, veçanërisht ata të lidhur me lëvizjen “MAGA” të Trumpit, kishin kërkuar ndalimin e ndihmave shtetërore për universitetet që “lejojnë protesta antisemite në kampuset e tyre.”
Megjithëse zyrtarët e Universitetit Columbia deklaruan se “bënë gjithçka për të ndaluar mesazhet antisemite,” vendimi i Trumpit i ka lënë ata pa 400 milionë dollarë në grante dhe kontrata me qeverinë federale të SHBA-së.
Vlen të theksohet se kabineti i Trumpit nuk ka sqaruar se cilat kontrata dhe grante specifike do t’i hiqen universitetit.