Trump kritikon CNN dhe New York Times për pretendimin e tyre se sulmi ndaj Iranit nuk e arriti qëllimin

– “Kanali i lajmeve të rreme CNN u bashkua me gazetën e dështuar ‘New York Times’ për ta bërë joefektiv një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori”, tha presidenti amerikan Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka akuzuar CNN dhe New York Times se “gënjejnë” për pretendimet e tyre se sulmi i SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit nuk e ka ndërprerë plotësisht aftësinë e Teheranit për të prodhuar armë bërthamore, transmeton Anadolu.

Trump në një postim në llogarinë e tij “Truth Social” reagoi ndaj raportimeve në mediat amerikane që pretendonin se sulmi ndaj objekteve bërthamore iraniane “nuk pati ndikim të plotë në objektet bërthamore, duke vonuar vetëm punën me disa muaj”.

“Kanali i lajmeve të rreme CNN u bashkua me gazetën e dështuar ‘New York Times’ për ta bërë joefektiv një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori”, tha presidenti amerikan Trump.

“Objekti bërthamor në Iran është shkatërruar plotësisht. Si NY Times ashtu edhe CNN po kritikohen ashpër nga publiku”, tha ai.

Trump kishte njoftuar në platforma të ndryshme se kapaciteti bërthamor i Teheranit ishte “shkatërruar plotësisht” pas sulmeve nga bombarduesit dhe nëndetëset amerikane B-2 në tre objekte bërthamore iraniane.

Disa media në vend kishin shprehur pretendime se kjo nuk ishte e vërtetë, por se mund të ketë një efekt që mund ta shtynte punën bërthamore të Iranit me disa muaj prapa.

Përfaqësuesi i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff duke mohuar pretendimet në mediat amerikane tha: “Ne lëshuam 12 bomba që depërtonin në bunker në (objektin bërthamor të Iranit) Fordo. Nuk ka dyshim se ato depërtuan dhe e shkatërruan atë”.

Witkoff tha se Izraeli bombardoi dy objekte të tjera bërthamore nëntokësore që i kishte synuar më parë “njëra pas tjetrës” për t’u siguruar që ato të shkatërrohen plotësisht dhe se ai “nuk kishte asnjë dyshim” për rezultatin.

Kategoritë
BotaLajme