Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Izraeli ka “mjaft probleme të vetat edhe pa pasur nevojë të rrëmbejë Gretën Thunberg”, pasi u ndalua flota humanitare me të cilën ajo po udhëtonte drejt Gazës.
Presidenti e përshkroi aktivisten suedeze si “një të re të zemëruar” pasi përpjekja e saj për të thyer bllokadën e Gazës u ndalua nga marina izraelite.
“Ajo është një person i çuditshëm. Një vajzë e re, e zemëruar. Nuk e di nëse ajo zemërim është i vërtetë. Vështirë të besohet, sinqerisht, por e pashë çfarë ndodhi. Ajo është padyshim ndryshe… mendoj se i duhet një kurs për menaxhimin e zemërimit”, tha Trump.
Forcat detare izraelite të hënën hipën në një anije humanitare dhe e sekuestruan atë. Në bord ndodhej edhe Greta Thunberg.
Veliera britanike e quajtur Madleen, e drejtuar nga koalicioni pro-palestinez Freedom Flotilla (Flota e Lirisë), synonte të dorëzonte një sasi simbolike ndihmash për Gazën dhe të rriste ndërgjegjësimin ndërkombëtar për krizën humanitare në atë zonë.
“Nëse po e shikoni këtë video, ne jemi ndaluar dhe rrëmbyer nga forcat pushtuese izraelite, apo forca që mbështesin Izraelin, në ujërat ndërkombëtare,” tha Thunberg, 22 vjeç, në një video-mesazh të publikuar nga Freedom Flotilla Coalition, regjistruar para sekuestrimit të anijes.
“Apelem të gjithë miqtë, familjen dhe shokët e mi që të ushtrojnë presion mbi qeverinë suedeze për të më liruar mua dhe të tjerët sa më shpejt të jetë e mundur.”
Trump hodhi poshtë pretendimet e Gretës se ishte rrëmbyer, duke thënë: “Mendoj se Izraeli ka mjaft probleme edhe pa pasur nevojë të rrëmbejë Gretën Thunberg.”
Kjo nuk është hera e parë që Greta Thunberg dhe presidenti amerikan përplasen.
Pesë vite më parë, Thunberg shfaqi hapur përbuzjen e saj ndaj Trump-it kur, si 16-vjeçare, e shikoi ftohtë atë gjatë mbërritjes në Kombet e Bashkuara.
Shikimi i saj i mprehtë, i cili ndodhi pak para fjalimit të saj për ndryshimet klimatike në OKB, u bë viral në internet.
Në shkurt të këtij viti, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, nënpresidenti amerikan JD Vance e përdori rastin për ta tallur Thunberg, duke mbrojtur njëkohësisht rolin e Elon Musk në administratën Trump.
“Besomëni, e them me një dozë humori – nëse demokracia amerikane i mbijetoi dhjetë viteve të ankesave të Gretës, edhe ju mund t’i mbijetoni disa muajve të Elon Musk.”