Trump do ta bëjë për herë të parë anglishten gjuhë zyrtare në SHBA

Donald Trump planifikon të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do ta bënte anglishten për herë të parë gjuhën zyrtare të kombit, raporton Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Në historinë e saj gati 250-vjeçare, SHBA nuk ka pasur kurrë një gjuhë zyrtare në nivel federal. Për shkak të një historie të gjatë emigracioni nga e gjithë bota, në të gjithë vendin fliten më shumë se 350 gjuhë të ndryshme.

Sipas zyrtarëve të cituar nga WSJ, urdhri ekzekutiv do të shfuqizojë një mandat federal nga epoka e Klintonit, i cili u kërkonte agjencive dhe përfituesve të fondeve federale të ofronin ndihmë gjuhësore për personat që nuk flasin anglisht. Megjithatë, agjencitë do të mund të vazhdojnë të ofrojnë dokumente dhe shërbime në gjuhë të tjera përveç anglishtes, sipas një përmbledhjeje të urdhrit të Shtëpisë së Bardhë, të cilën gazeta e ka parë. Në përmbledhjen e urdhrit thuhet se qëllimi është që anglishtja të bëhet gjuha kombëtare për të nxitur unitetin, për të rritur efikasitetin e qeverisë dhe për të siguruar një rrugë më të lehtë drejt angazhimit qytetar.

Megjithëse SHBA nuk ka një gjuhë zyrtare, kandidatët për shtetësi duhet të kalojnë një test që vërteton aftësinë për të lexuar, shkruar dhe folur anglisht për t’u bërë qytetarë të natyralizuar.

Sipas Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë së SHBA-së, më shumë se 78% e amerikanëve flasin vetëm anglisht në shtëpi. Megjithatë, miliona amerikanë përdorin gjuhë të tjera si spanjishtja, kinezçja, tagalogu dhe arabishtja si gjuhë kryesore. Në SHBA fliten gjithashtu dhjetëra gjuhë indigjene amerikane.

Zëvendëspresidenti JD Vance më parë kishte propozuar Ligjin për Unitetin e Gjuhës Angleze, ndërsa shërbente si senator nga Ohajo. Ky ligj propozon që qeveria federale të kryejë të gjitha punët zyrtare në anglisht dhe të vendosë një standard të testimit gjuhësor për rrugën drejt shtetësisë.

Kategoritë
BotaLajme