Tre skenarë për pushtetin e ardhshëm në Gjermani: Askush nuk dëshiron AfD-në, kancelari i ardhshëm tashmë dihet

Tre skenarë për pushtetin e ardhshëm në Gjermani: Askush nuk dëshiron AfD-në, kancelari i ardhshëm tashmë dihet

Më 23 shkurt në Gjermani do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat u shpallën pas shpërbërjes së koalicionit “semafor”, i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP-ja.

Sipas sondazheve parazgjedhore, në pozitën më të mirë pritet të jetë CDU-CSU, e njohur si “Unioni.” Bëhet fjalë për një parti konservatore, e cila katër vjet më parë nuk arriti të bëhej pjesë e qeverisë për herë të parë që nga viti 2005.

Lideri i tyre, Friedrich Merz, pritet pothuajse me siguri të jetë kancelari i ri pas formimit të qeverisë së re. “Unioni” i Merzit ka mbështetjen e 30 për qind të qytetarëve gjermanë, sipas sondazheve, që është e mjaftueshme për të udhëhequr qeverinë e ardhshme.

Megjithatë, partia e dytë më e fortë është AfD-ja, që përfaqëson të djathtën radikale. Duke ndjekur parimin “Brandmauer” (barrierë ndaj ekstremit të djathtë), të gjitha partitë që mund të kenë deputetë në Bundestag kanë refuzuar çdo mundësi bashkëpunimi me ta, pavarësisht mbështetjes prej 20 për qind që kanë në Gjermani.

Prandaj, kanë mbetur tre skenarë të mundshëm për formimin e qeverisë, të cilët janë analizuar nga Politico.

Kthimi në epokën e Angela Merkel – “Große Koalition”

Nëse partitë më të vogla (FDP dhe BSW) nuk marrin vota të mjaftueshme, bashkëpunimi më i mundshëm është ai mes SPD-së dhe CDU-së, duke u kthyer në një formulë të ngjashme me epokën e kancelarës Angela Merkel.

Merz është shumë më konservator se Merkel dhe ka zhvendosur CDU-në më djathtas për çështje si migracioni, gjë që mund të ndikojë në negociatat me social-demokratët e Olaf Scholz.

Scholz ka deklaruar se nuk do të bashkëpunojë me CDU-në, por brenda SPD-së ka politikanë më pragmatikë, si ministri aktual i mbrojtjes Boris Pistorius dhe një nga liderët e SPD-së, Lars Klingbeil, të cilët janë të hapur për koalicion me konservatorët.

Ky koalicion do të ishte hera e pestë që merr drejtimin e vendit, duke pasur periudha shumë të suksesshme në historinë e Gjermanisë. Megjithatë, mbetet për t’u parë si do të jetë qeverisja nën drejtimin e Merzit krahasuar me atë të Merkelit.

Shmangia e SPD-së – Koalicioni “Kiwi”

Nëse FDP-ja dhe BSW-ja nuk marrin mandate, ndërsa të Gjelbrit arrijnë një rezultat të lartë, është i mundshëm një koalicion midis CDU-së dhe të Gjelbërve, duke lënë jashtë qeverisjes SPD-në.

CDU-ja dhe të Gjelbrit ndajnë shumë qëndrime të ngjashme, sidomos në politikën e jashtme. Merz dhe drejtuesit e të Gjelbërve shpesh kanë kritikuar Scholz për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe fondet për mbrojtjen.

Megjithatë, “Agjenda e Gjelbër” e CDU-së, e ndryshuar ndjeshëm nga Merz, mund të bëhet pengesë për këtë bashkëpunim. Po ashtu, stabiliteti i këtij koalicioni është i dyshimtë, pasi është e vështirë të pritet që të Gjelbrit të kenë më shumë deputetë se SPD-ja në Bundestag.

Qeveria me tre parti si opsioni më i mundshëm

Nëse disa mandate i marrin BSW-ja dhe FDP-ja, opsioni më i mundshëm, edhe pse i padëshiruar për CDU-në, është koalicioni me tre parti: CDU-në, të Gjelbrit dhe SPD-në.

Ky koalicion do të përbënte një “recetë për paqëndrueshmëri.” Marrëdhëniet mes të Gjelbërve dhe SPD-së ishin të mira kur Scholz ishte kancelar, por me Merzin në krye të qeverisë, dinamika do të ndryshonte.

Për më tepër, fakti që 20 për qind e votave do t’i shkojnë një partie që nuk do të jetë pjesë e qeverisë e bën edhe më të vështirë suksesin e negociatave. Merz, si lider i partisë që pritet të dalë fituese, do të ketë një sfidë të madhe në formimin e qeverisë së re, duke pasur parasysh se koalicioni i mëparshëm përfundoi në mënyrë të pasuksesshme.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova